Lidhje

Sekretari Tillerson viziton Kinën


Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, viziton për të dytën herë Kinën. Ai synon të marrë mbështetjen e Pekinit për një fushatë “presioni maksimal” ndaj provokimeve bërthamore të Koresë së Veriut.

Shtimi i retorikës ndërmjet udhëheqësve të Uashingtonit dhe Penianit e ka rritur ndjesinë e pesimizmit për mundësinë e një çnuklearizimi paqësor të Gadishullit Korean.

Por, diplomacia mbetet ende opsioni i parë. Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, po kërkon bashkëpunimin e Kinës për të ulur provokimet bërthamore të Koresë së Veriut, si dhe për të përgatitur terrenin për vizitën në Kinë të Presidentit Donald Trump, në muajin nëntor.

“Po përgatitemi për vizitën e rëndësishme të Presidentit Trump, kështu që duhet të bisedojmë rreth axhendës së vizitës, si dhe për një sërë çështjesh të rëndësishme, ndër to sigurisht edhe për Korenë e Veriut”, tha Sekretari Tillerson.

Kina është partnerja kryesore tregtare e Koresë së Veriut. Uashingtoni thotë se roli i Kinës është i domosdoshëm për të ulur përfitimet financiare të Penianit.

“Kemi vendosur sanksione ndaj entiteteve të ndryshme në Kinë dhe në vende të tjera. Objektiv janë entitetet tregtare të Koresë së Veriut, dhe të përhapjes së paligjshme të armatimit. Sanksionet sigurisht që kanë efektin e tyre për këto lloj transaksionesh. U kufizohet mundësia për të patur fitime dhe po e shton presionin mbi regjimin”, tha Ndihmës Sekretarja e Shtetit në detyrë për Azinë Lindore dhe Paqësorin, Susan Thornton.

Ministrja e Jashtme e Koresë së Jugut, Kang Kyung-wha, tha këtë javë në Uashington se megjithëse koha po mbaron, ka mbetur ende vend për diplomacinë.

Vizita në Pekin e Sekretarit të Shtetit Tillerson pason vizitën e Sekretarit të Tregtisë, Wilbur Ross, i cili u shpreh se Kina duhet të ofrojë trajtim të drejtë reciprok për kompanitë amerikane.

XS
SM
MD
LG