Lidhje

Shqipëri, FMN: Kujdes me Partneritetin Publik-Privat


Në Shqipëri misioni i Fondit monetar ndërkombëtar vlerëson se ekonomia e vendit po fuqizohet, por shprehu shqetësim për rrezikun që sjell në rritjen e borxhit publik programi i qeverisë “1 miliard euro” i cili synon të thithë investimet private përmes formulës së Partneritetit Publik Privat. FMN-ja gjithashtu është shprehur kundër shkrirjes në një strukturë të vetme të Tatimeve dhe Doganave, ndërsa thekson nevojën që reformat e nisura në sektorin e energjisë duhet të rigjallërohen pasi “kanë ngelur në vend”.

Pas përfundimit në pranverën e shkuar të programit tre vjecar me FMN-ën, falë të cilit Shqipëria mori një hua prej më shumë se 370 milion eurosh, qeveria shqiptare nuk ka preferuar të rinovojë një marrëdhënie të re specifike me Fondin duke preferuar atë që secili vend anëtar ka me këtë organizim të rëndësishëm financiar. Në përfundim të konsultimeve me autoritetet shqiptare, misioni i FMN-ës vlerëson se “nën programin e mbështetur nga FMN dhe të mbyllur së fundmi, autoritetet i kanë ulur pozitat e pafavorshme fiskale dhe financiare, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për t’i çimentuar këto arritje. Ritmi i reformave është ngadalësuar për shkak të zgjedhjeve dhe periudhës së gjatë të ndërrimit të qeverive”.

Sipas misionit të FMN-ës, “ekonomia e Shqipërisë vijon të fuqizohet, duke përfituar nga rritja e kërkesës vendase, Investimet e Huaja Direkte të mëdha të lidhura me sektorin energjetik, rritja e turizmit dhe rimëkëmbja e partnerëve tregtarë më kryesorë nga BE-ja”. Fondi monetar ka rishikuar për lart, +0,2 pikë përqindje, parashikimet për rritjen ekonomike në vitin 2017 e cila mund të kapë nivelin e 3,9 përqindëshit “nën nxitjen e zgjerimit të vrullshëm të sektorëve të turizmit dhe ndërtimit, në kompensim të efektit negativ që ka pasur thatësira për prodhimin e energjisë elektrike. Rimëkëmbja e numrit të vendeve të punës vijon, me rënien e papunësisë në 13,9 për qind në 3-mujorin e II të vitit 2017. Kredia për individët dhe eksportet po rritet. Defiçiti i llogarisë korrente pritet të zgjerohet paksa në vitin 2017, duke arritur 8 për qind të PBB-së, me rritjen e investimeve energjetike dhe importet e energjisë elektrike për shkak të thatësirës. Ndikimi i inflacionit të jashtëm në nivele më të larta dhe rritja e kërkesës së brendshme pritet ta çojë inflacionin në rreth 2 për qind (vjetore, mesatare) në vitin 201”.

Fondi nënvizon se “ekonomia në rritje dhe mandati i qartë zgjedhor i ofrojnë qeverisë së re një mundësi të rrallë për dyfishimin e punës për reformat. Çuarja përpara e programit të reformave është me rëndësi kritike për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, zvogëlimin e risqeve fiskale dhe rritjen e potencialit të rritjes ekonomike.”

Por sipas raporti të misionit të FMN-ës “pavarësisht nga fuqizimi i rimëkëmbjes, konsolidimi fiskal pritet të ngadalësohet në vitin 2017. Në bazë të buxhetit përfundimtar, misioni parashikon që bilanci primar i qeverisjes së përgjithshme të përkeqësohet paksa nga një suficit prej 0,2 për qind të PBB-së në 2016 në 0,1 për qind të PBB-së në 2017, për shkak të rimbursimeve të mëdha në pritje të TVSH-së, dorëzanive për importet e energjisë elektrike dhe shpenzimet e qeverisjes vendore. Megjithatë, deficiti i përgjithshëm i qeverisë pritet të bjerë modestisht në 2 për qind të PBB-së për shkak të kursimeve nga interesat. Borxhi publik (përfshirë detyrimet e konsiderueshme të prapambetura të qeverisjes vendore dhe qendrore) gjithashtu pritet të bjerë modestish nga 73,3 për qind në 71½ për qind të PBB-së në fund të vitit 2017”.

Një problem për borxhin shihet programi “1 miliard euro”. Sipas misionit “programi ambicioz i autoriteteve për investime publike nëpërmjet PPP-ve, paraqet risqe të konsiderueshme fiskale”, duke rekomanduar një zbatim më të mirë të kuadrit ligjor si dhe që “në dallim nga praktika e tanishme, ndikimi që kanë PPP-të në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të reflektohet me transparencë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të kontabilitetit publik”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër projektit të Qeverisë për shkrirjen në një strukturë të vetme të Tatimeve dhe Doganave. Sipas FMN-ës “është mirë të rikonsiderohet edhe një herë, po të kemi parasysh risqet e larta të cënimit të mbledhjes së të ardhurave dhe reformat që po bëhen në administratën tatimore”.

Raporti i misionit vë theksin gjithashtu te shlyerja dhe parandalimi i detyrimeve të prapambetura. “Deri në fund të muajit qershor, njësitë e qeverisjes qendrore dhe vendore kanë akumuluar detyrime të prapambetura sa 1,1 për qind e PBB-së. Kjo përfshin edhe 0,3 për qind të PBB-së si detyrime të prapambetura në formën e rimbursimit të TVSH-së”. Në raport jepen disa rekomandime për të parandaluar thellimin e detyrimeve të prapambetura.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG