Lidhje

Komuniteti portorikan i Nju Jorkut ndihmon banorët e Porto Ricos


Kanë kaluar rreth dy javë që kur uragani Maria dëmtoi rëndë infrastrukturën e ishullit, duke i lënë 3.4 milionë banorët e tij pa energji elektrike dhe pa nevojat bazë. Në Nju Jork, ku jetojnë mijëra portorikanë, banorët lokalë janë të shqetësuar se ngadalësia në shpërndarjen e ndihmave po krijon një krizë humanitare në rritje.

Në pamundësi për të komunikuar me familjet e tyre që kanë mungesë energjie elektrike, uji të pijshëm, ushqimesh dhe të shërbimit shëndetësor, diaspora portorikane e Nju Jorkut po e humbet përherë e më tepër durimin për shkak të përgjigjes së ngadaltë nga Presidenti Trump dhe qeveria federale pas uraganit shkatërrimtar.

“Ata nuk kanë më besim tek Presidenti.”

“Dërgoni ndihma, çoni ushtrinë për të ndihmuar!”- thonë njerëzit e zemëruar.

Në Harlemin Lindor, një lagje e Nju Jorkut, ku jeton një prej komuniteteve më të mëdha portorikane jashtë ishullit që është territor amerikan, banorët përpiqen të mbeten optimistë për gjendjen e të dashurve të tyre. Larry Montes është i shqetësuar për gjyshen e tij:

“Dua të di se si është me shëndet. Dua të di në se familja ime po merr ndihma. Ajo që dëgjoj është se shumë nga ndihmat nuk shpërndahen fare në brendësi të ishullit, shoh që gjithshka ka mbetur nëpër magazina,”- thotë Larry.

Pa mundur të bëjë një vlerësim të saktë, Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio pret që atje të shkojnë me mijëra portorikanë në javët e ardhshme, me shtimin e fluturimeve nga kryeqyteti i ishullit, San Huan.

Clotilde Solís, e cila është përpjekur për ditë me radhë të komunikojë me familjen e të shoqit në qytetin e vogël Patillas, shpreson se do të ketë burime të mjaftueshme për të patur një tranzicion të qetë, pa probleme.

“Do të isha e lumtur, në se qeveria do t’i sistemonte këtu. Njerëzit kanë nevojë për një strehë, ku të bashkohen me familjet e tyre,” – thotë ajo.

Por deri atëhere, komuniteti i madh i portorikanëve në Nju Jork, ka organizuar grumbullimin e ndihmave bazë, shtesë, për t’ua çuar personave në nevojë.

“Duhet përpjekja e të gjithëve, jo vetëm e qeversë. Duhet të ndihmojnë të gjithë njerëzit, kishat, organizatat e komuniteteve; duhet të bashkohemi të gjithë që të japim ndihmën tonë. Sot mund kenë nevojë Porto Riko dhe Karaibet, nesër mund të jemi ne.” – thotë një aktivist i komunitetit portorikan në Nju Jorkut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG