Lidhje

SHBA, bisedime me Phenianin?


Shtëpia e Bardhë thotë se është e interesuar të bisedojë me Korenë e Veriut vetëm nëse bëhet fjalë për lirimin e tre amerikanëve që mbahen nga Pheniani. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders afirmoi ndërkohë mbështetjen e presidentit Trump për Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson dhe tha se bisedimet e vetme me Korenë e Veriut janë për të liruar amerikanët e ndaluar.

Deklarata vjen ndërsa Sekretari i Shtetit Rex Tillerson zbuloi se Shtetet e Bashkuara janë ende duke shfrytëzuar kanale të drejtpërdrejta komunikimi me autoritetet koreano-veriore dhe se zyrtarët amerikanë po kërkojnë një dialog.

Por deklaratat e zotit Tillerson u minimizuan nga presidenti Trump. Ja përgjigja e Shtëpisë së Bardhë ndaj deklaratave të zotit Tillerson:

“Bisedat e vetme që janë zhvilluar apo do të zhvillohen do të kenë të bëjnë me kthimin e amerikanëve që po mbahen, si studenti i ndjerë Otto Warmbier. Këto janë bisedat që kjo administratë është e gatshme të zhvillojë. Përtej kësaj, nuk do të ketë biseda me Korenë e Veriut në këtë kohë.”

Megjithë deklaratat e zotit Trump, Shtëpia e Bardhë tha të hënën se presidenti ka ende besim tek sekretari Tillerson.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG