Lidhje

Ndërron jetë ylli i muzikës rok, Tom Petty


Legjenda e muzikës rok amerikane, Tomy Petty, i njohur për hitet e tij me grupin “The Heartbreakers”, ka ndërruar jetë në moshën 66 vjeçare në shtëpinë e tij në Malibu, Kaliforni, pas një infarkti. Tom Petty u bë i njohur në vitet ’70 për hitet e tij si American Girl, Free Fallin’ dhe Listen to her heart.

Tom Petty, legjenda e rokut amerikan ndërroi jetë në moshën 66 vjeçare, pas një infarkti, në shtëpinë e tij në Malibu të Kalifornisë.

Familjarë thanë se e çuan me urgjencë të hënën në mëngjes në spital, por mjekët e patën të pamundur ta shpëtonin artistin, i cili humbi jetën të hënën pasdite “i rrethuar nga familjarë, kolegë e miq”.

Ylli i rokut, sapo kishte përfunduar një turne, javën e kaluar në Hollyvvood Bovvl, Los Angeles. Koncerti i fundit përkoi, jo rastësisht, me 40 vjetorin e grupit të tij “Heartbreakers”.

Në muajin dhjetor, Tom Petty deklaroi për revistën Rolling Stones se e ndjente që ky do ishte turneu i fundit me grupin. “Jam i sigurtë që do të vazhdojmë të merremi me muzikë”, tha ai, “por a do kemi mundësi të japim 50 koncerte në një turne? Nuk e besoj! Do gënjeja po të mos e pranoja se ndoshta ky do të jetë turneu ynë i fundit si grup”.

Tom Petty u bë i njohur në vitet ’70 me grupin, “Tom Petty and the Heartbreakers”, me të cilin ai thyeu rekorde, duke shitur deri në 80 milionë disqe. Ndër hitet më të njohura që mbajnë firmën e tij kujtojmë American Girl, Free Fallin’ dhe Listen to her heart.

“Shkruaj kur më vjen frymëzimi... Thjesht luaj në kitarë e nëse del ndonjë gjë e bukur, e regjistroj. Zakonisht, melodia më e bukur krijohet vet, nuk sforcohem unë. Do doja t’ju tregoja më tepër rreth procesit se si i shkruaj këngët e mia, por është diçka kaq mistike, sa nuk gjej fjalët e duhura ta përshkruaj. Magjia është një truk, kurse në rastin e muzikës, është tamam e pastër, ku nuk ka asnjë truk... muzika ime është diçka e vërtetë, e tillë mbetet deri në fund”.

Në karrierën si kantautor, Petty u përqendrua në betejat e jetës së përditshme të njeriut dhe vullnetin e tij për t’i fituar këto beteja. Kjo dëshmohet qartë në hitet si “Refugee”, “Even the losers” apo “I wont back down”.

Tom Petty ishte edhe vet muzikant, por njëkohësisht fans i çmendur i artistëve të tjerë ikonë të rokut, të cilët i adhuronte që fëmijë e që fati e deshi t’i bënte miq të afërt kur edhe vet u bë i njohur dhe i suksesshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG