Lidhje

Hendeku gjinor në teknologjinë dixhitale


Në shkallë globale, një numër më i vogël grash kanë qasje në internet krahasuar me burrat. Në Shtetet e Bashkuara problemi shfaqet në numrin e vogël të grave që punojnë në sektorin e teknologjisë dixhitale dhe vështirësitë e tyre për t’u ngjitur në karrierë në këtë sektor. Zëri i Amerikës do të organizojë në Orlando të Floridas një bisedë të hapur me gra që punojnë si informaticiene, inxhiniere kompiuterash apo në funksione të tjera në teknologjinë dixhitale.

Në mbarë botën gratë po shfrytëzojnë teknologjinë për të kapërcyer pengesa në arsim dhe punësim. Por shumë gra në vendet në zhvillim hasin vështirësi në qasjen në internet. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara gratë e kanë të vështirë të avancojnë në karrierë në teknologjinë dixhitale.

Më 5 tetor, gra nga gjithë bota do të mblidhen për t’i diskutuar këto sfida në një bisedë të hapur të organizuar nga Zëri i Amerikës. Ky do të jetë grumbullimi më i madh në botë i grave në teknologjinë dixhitale.

“Mjedisi teknologjik nuk ka qenë mikëpritës për gratë për fat të keq,” thotë Y-Vonne Hutchinson e organizatës “Ready Set”.

Në Shtetet e Bashkuara është hapur një debat energjik mbi arsyet që i pengojnë gratë të përfshihen dhe të përparojnë në këtë sektor. Në vende të tjera gratë e kanë të vështirë edhe të përdorin internetin. 12% më pak gra krahasuar me burrat kanë qasje në internet. Në vendet më të pazhvilluara një ndër shtatë gra përdor internetin, krahasuar me një ndër pesë burra.

“Ekziston një hendek teknologjik. Disa njerëz kanë qasje më të madhe në teknologjinë dixhitale se të tjerët. Është një realitet i pashmangshëm pasi çdo shpikje e re nuk gjen zbatim uniform në shoqëri,” thotë Martin Hilbert i Universitetit të Kalifornisë në Davis.

Gratë kanë qasje më të ulët tek teknologjia, pasi ndeshin diskriminim në arsim, mundësi punësimi dhe të ardhura. Shpesh ato janë viktima edhe të presionit në shoqëri.

“Në një vend në Afrikë nuk është e pëlqyeshme që vajzat të kenë telefona celularë. Vetëm burrave u lejohet. Kur shkuam në atë vend për të arsimuar vajzat, na thanë se duhet ta përqëndronim punën tek djemtë dhe burrat. Na u desh të punonim shumë për të kapërcyer këtë hendek,” thotë Tara Chklovski e shoqatës Iridescent.

Në Shtetet e Bashkuara gratë përfaqësojnë 20% të punonjësve në kompani teknologjike dhe vetëm 17% të udhëheqjes në këto kompani. Po ashtu të pakta janë gratë që financojnë novacione apo kompani të reja teknologjike.

“U them njerëzve: e mira e profesionit tim është se nuk ka shumë gra të më zënë banjon në zyrë. Studime të ndryshme tregojnë se vetëm 5-10% e partnerëve në kompani investimesh janë gra,” thotë Kate Mitchell e kompanisë “Scale Venture Partners”.

Edhe ato gra që punojnë në kompani teknologjike janë në rrezik të largohen në gjysmë të karrierës, pasi atmosfera është përgjithësisht negative.

“Shpesh gratë duhet të arrijnë një standard më të lartë se burrat, si dhe të punojnë më fort për të shënuar sukses,” thotë Caroline Simard e Universitetit Stanford.

Megjithë këto probleme, ka plot gra që po punojnë për të ngushtuar hendekun në Shtetet e Bashkuara dhe botë.

“Për herë të parë në histori, teknologjia po sjell një fuqizim të zërit të vajzave për të krijuar një shoqëri më të barabartë,” thotë Tara Chklovski e shoqatës Iridescent.

“Nuk ka një zgjidhje magjike për këtë problem. Duhet të punojmë përditë drejt një mjedisi më gjithëpërfshirës. Kjo përpjekje duhet të inkuadrohet në çdo praktikë menaxheriale,” thotë Caroline Simard e Universitetit Stanford.


Në bisedën e hapur të Zërit të Amerikës do të diskutohen përpjekjet që po bëhen për të mbyllur hendekun dixhital për një shoqëri më të drejtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG