Lidhje

Hetimi i Senatit për ndërhyrjen e Rusisë


Komisioni i Senatit për Zbulimin tha se ende po heton në mënyrë aktive nëse elementë të fushatës së presidentit Donald Trump bashkëpunuan në mënyrë të fshehtë me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet amerikane të vitit 2016. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Senat, Michael Bowman, kryetari republikan i komisionit dhe demokrati më i lartë në komision, thonë se ndërhyrja agresive e Rusisë mund të zgjerohet më tej dhe se të gjitha shtetet amerikane duhet të jenë të përgatitura.

Kryetari republikan i komisionit që drejton hetimin kryesor të Senatit për Rusinë nuk bëri ndonjë deklaratë të bujshme mbi rrethin e brendshëm të presidentit Trump gjatë fushatës.

“Çëshjta e bashkëpunimit të fshehtë ende mbetet e hapur… kemi më shumë punë për të bërë lidhur me të, por po krijojmë një pasqyrë më të qartë se çfarë ka ndodhur.”

Megjithatë, pas intervistimit të rreth 100 dëshmitarëve dhe shqyrtimit të rreth 100 mijë dokumenteve, komisioni bëri publike disa përfundime.

“Masat aktive ruse nuk përfunduan ditën e zgjedhjeve."

“Ajo që mund të konfirmoj është se shërbimi rus i zbulimit është i vendosur, i zgjuar. Dhe unë rekomandoj që çdo fushatë dhe çdo zyrtar I zgjedhjeve ta marr këtë fakt shumë seriozisht.”

Hetuesit amerikanë besojnë se hakerët rusë u përpoqën të depërtonin në sistemin e votimit në gati 24 shtete amerikane. Ndërsa hakerët mund të mos kenë arritur sukses vitin e kaluar…

“Mund të themi me siguri se ata nuk kanë ndikuar në numrin e votave.”

… rreziku mbetet, ndërsa dy shtete zhvillojnë zgjedhje vetëm disa javë më pas dhe zgjedhjet e mes-mandatit në Amerikë janë vitin e ardhshëm.

“Mund të zgjedhin dy ose tre shtete dhe dy apo tre juridiksione dhe të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve.”

U vu gjithashtu në dukje edhe përdorimi nga Rusia i platformave të medias sociale për të përhapur informacion të gabuar dhe kaos.

“Isha i shqetësuar fillimisht se disa nga kompanitë e medias sociale nuk e morrën seriozisht sa duhet këtë kërcënim. Besoj se tani po e kuptojnë kërcënimin. Ata na kanë dhënë informacione.”

Kryetari Burr tha se Rusia ishte “shumë e suksesshme” për të krijuar “kaos në çdo nivel” në zgjedhjet e vitit të kaluar. Nëse Kremlini e bëri këtë me ndonjë ndihmë nga ekipi i fushatës së presidentit Trump mbetet ende pjesë e hetimit, përfundimi i të cilit nuk ka ndonjë afat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG