Lidhje

Masat shtypëse të Moskës ndaj organeve të pavarura të medias


Ndërsa përpjekjet e Moskës për propagandë që kanë në shënjestër amerikanët, po hetohen nga Kongresi, disa ligjvënës po kërkojnë rritjen e mbështetjes për transmetimet e financuara nga qeveria amerikane në Rusi. Ata po ngrenë kambanat e alarmit, për masat shtypëse të Moskës ndaj organeve të pavarura të medias dhe gazetarëve që punojnë për ta.

Roli i BBG-së dhe VOA-s në përpjekjet kundër propagandës ruse
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:08 0:00

Anëtarët e Komisionit të Helsinkit, një agjenci e pavarur federale që vëzhgon demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Evropë, u mblodhën dje për të diskutuar kërcënimin e vazhdueshëm me të cilin përballen gazetarët që punojnë në Rusi dhe vende të tjera të Bashkimit Sovjetik.

“Një shtyp i lirë është sot më i rëndësishëm se kurrë dhe absolutisht i nevojshëm si kundërpeshë ndaj Presidentit Vladimir Putin, që po bëhet gjithnjë e më i guximshëm”, tha kongresmeni, Steve Chabot.

Ai shtoi se presidenti rus, jo vetëm që po bën përpjekje për të dëmtuar demokracinë amerikane, por “është i vendosur që të shkatërrojë shtypin e pavarur, sepse është kërcënim ndaj regjimit të tij”.

“Duke përfaqësuar demokracinë amerikane para popullatave që zoti Putin i mban nën kontroll, ne kemi qenë në gjendje që të vëmë në dispozicion instrumentat për mendim të pavarur. Kjo e konsolidon edhe më shumë mbështetjen për gazetarinë e pavarur”.

Për të ndihmuar në luftën kundër këtyre përpjekjeve, zoti Chabot dhe kongresmeni Adam Schiff i thanë Komisionit të Helsinkit se Bordi i Guvernatorëve të Transmetimeve Ndërkombëtare, agjencia ombrellë e Zërit të Amerikës, është thelbësore. Demokrati Schiff, bashkëthemelues i një grupi dypartiak të Kongresit për mbrojtjen e lirisë së shtypit në botë, u zotua që të mbështesë përpjekjet e Bordit dhe të Zërit të Amerikës.

“Për fat të keq ka shumë probleme, ka shumë raste kur liria e shtypit është e kërcënuar dhe kur siguria dhe mirëqenia e gazetarëve rrezikohet. Shumë gazetarë burgosen sepse thonë të vërtetën sepse zgjedhin të të thonë të vërtetën për të fuqishmit, në vend që ta mbajnë të fshehtë”, tha zoti Schiff.

Nina Ognianova, një zyrtare e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, tha se të paktën nëntë gazetarë janë vrarë në Rusi gjatë dekadës së kaluar.

"Mosndëshkueshmëria u dërgon një sinjal kundërshtarëve të shtypit në Rusi se ata mund të vazhdojnë të censurojnë gazetarët duke i frikësuar, sulmuar apo vrarë ata, për artikujt ose opinionet e tyre”.

Amanda Bennett, drejtore e Zërit të Amerikës tha se redaksia e agjncisë në Moskë, është përballur me këtë lloj trajtimi që në fillim.

"Shërbimi rus i Zërit të Amerikës, funksionon që nga viti 1947, prandaj kërcënimet dhe frikësimet nuk janë gjë e re për ne. Por në vitet e fundit kemi parë shtimin e presioneve nga autoritetet ruse, vonesa të pashpjegueshme burokratike dhe një retorikë të përshkallëzuar negative për gazetarinë e Zërit të Amerikës”.

Zëri i Amerikës dëgjohet në gjithë Rusinë dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, në 11 gjuhë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG