Lidhje

WP: Rusët kanë blerë reklama tek Google për të ndihmuar kandidatin Trump


Sipas njoftimeve të reja të gazetës The Washington Post, operatorët rusë blenë dhjetëra mijëra dollarë reklama në motorin gjigant të kërkimeve në internet, Google vitin e kaluar në një përpjekje për të ndihmuar manjatin e pasurive të patundshme Donald Trump të fitonte presidencën amerikane.

Njerëzit me njohuri për një hetim nga kompania Google i thanë gazetës The Washington Post se kompania globale e teknologjisë zbuloi se agjentët rusë synonin të shpërndanin informacione dezinformuese rreth zgjedhjeve të vitit 2016 nëpër disa platforma të Google, duke përfshirë faqen e saj të videos në YouTube dhe programin e tij të reklamave DoubleClick.

Sipas gazetës ky zbulimi i Googleduket se tregon se reklamat nuk ishin nga i njëjti grup i lidhur me Kremlinin, i cili bleu reklama që kishin të bënin me zgjedhjet në faqen e Facebook-ut.

Nuk ka pasur asnjë koment për raportin nga kompania Google apo zyrtarët amerikanë.

Zbulimi i raportuar për një lidhje ruse në operacionet e Google vjen pasi komisione të shumta të kongresit kanë muaj që hetojnë rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhje, një fushatë që komuniteti i inteligjencës amerikane ka arritur në përfundimin se ishte drejtuar nga presidenti rus Vladimir Putin për të minuar demokracinë amerikane dhe ndihmoj zoti Trump të mposhtë sfiduesen e tij demokrate, ish Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton.

Përveç kësaj, Robert Mueller, ish-drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve, po kryen një hetim kriminal, për të përcaktuar nëse fushata e zotit Trump bashkëpunoi në mënyrë të fshehtë me rusët gjatë sezonit zgjedhor dhe nëse presidenti Donald Trump pengoi drejtësinë duke shkarkuar nga detyra ish shefin e FBI-së, James Comey, kur ai po drejtonte hetimin e agjencisë për Rusinë përpara se ky hetim të merrej përsipër nga zoti Mueller.

Trump ka mohuar ndonjë bashkëpunim të fushatës me Rusinë, por i tha një intervistuesi televiziv se ai po mendonte për "çështjen e Rusisë" kur vendosi të shkarkojë zotin Comey në maj. Një ditë pas shkarkimit të zotit Comey, Trump iu mburr dy zyrtarëve rusë në një takim të Shtëpisë së Bardhë se e kishte shkarkuar zotin Comey dhe e quajti atë " një të çmendur".

Trump u tha zyrtarëve rusë: "Unë u përballa me presion të madh për shkak të Rusisë. Tani e kam zgjidhur".

Por disa ditë më vonë, Mueller, megjithë kundërshtimet e zotit Trump, u emërua për të drejtuar hetimin e pavarur penal të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG