Lidhje

Siçili, goditet organizata italo-shqiptare


Autoritetet italiane njoftuan sot për goditjen e një organizate kriminale të përbërë nga italianë dhe shqiptarë, e cila akuzohet se kryente trafik droge dhe armësh nga Shqipëria drejt Siçilisë. Në pranga kanë përfunduar 7 anëtarë të organizatës, 4 italianë dhe 3 shqiptarë. Për katër shqiptarë të tjerë është lëshuar një urdhër arresti europian. Hetimet e palës italiane dëshmojnë se kjo organizatë kishte mundur të kalonte në vitet e fundit në Itali, të paktën 3500 kilogram marijuanë. Sasia e drogës ishte sekuestruar në disa operacione të ndryshme të policisë italiane duke nisur që nga viti 2015, kur në maj të atij viti ishte kapur një peshkarexhë me një ngarkesë me 900 kilogram marijuanë e nisur nga Shqipëria. Sipas autoriteteve italiane, vlera e drogës së trafikuar nga kjo organizatë mendohet të jetë afër 20 milion euro.

Mes tre shqiptarëve të arrestuar është edhe Moisi Habilaj, 39 vjeç. Emri i tij dhe i vëllezërve të tjerë u bë i njohur vitin e kaluar pas akuzave të një ish zyrtari të policisë, Dritan Zagani, i cili foli për aktivitetin e Habilajt duke hedhur dyshime për mbrojtjen e tij nga policia e Vlorës, për shkak të lidhjeve farefisnore me ish ministrin e Brendshëm të asaj kohe Saimir Tahiri. Sipas Zaganit, akuzat e të cilit u hodhën poshtë nga ish ministri, Habilajt, lëviznin me një automjet, tip “Audi” i cili ishte i zotit Tahiri. Ky i fundit deklaroi në atë kohë se ja kishte shitur automjetin Habilajve, ndërkohë që opozita pretendoi se ish ministri kishte udhëtuar me të njejtin automjet dhe pas periudhës në të cilën ai kishte kryer shitjen. Një fakt të tillë më pas e pranoi dhe vëllai i Moisi Habilajt, një ndër të arrestuarit e sotëm në Itali.

Për operacionin e policisë italiane nuk ka patur asnjë reagim nga pala shqiptare, ndërkohë që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shpërndau një deklaratë në të cilën ai shprehet se “PD ka denoncuar për 4 vite lidhjen e qeverisë me këtë klan, lidhjen e afërt të Tahirit me këtë bandë. Audi i famshem i ministrit, përdorej pikërisht nga ky që sot u arrestua në Itali. Kjo është mafia dhe këto janë lidhjet e saj me Edi Ramën”, thekson zoti Basha.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG