Lidhje

Lidhja me Habilajt, Tahiri: Kërkoj hetim


Në Tiranë, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri reagoi sot duke hedhur poshtë dyshimet për lidhje të tij me Moisi Habilajn, njëri prej tre shqiptarëve të arrestuar në Itali gjatë një operacioni për shkatërrimin e një organizate italo-shqiptare e cila merrej me trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.

Zoti Tahiri ishte vënë nën akuzë për lidhjet e tij me Habilajt që dy vjet më parë. Ish zyrtari i policisë, Dritan Zagani, kishte denoncuar publikisht për aktivitetin e tyre duke hedhur dyshime se mbroheshin nga policia e Vlorës, për shkak të lidhjeve me zotin Tahiri. Ndërsa një media italiane publikoi pjesë nga përgjimet në të cilat Habilaj flet dhe për një shumë prej 30 mijë eurosh që duhet t’ja jepte zotit Tahiri.

Ish ministri tha sot se për këtë rast ai do kërkonte angazhimin e Drejtësisë në mënyrë që siç tha, të zbardhej e gjithë e vërteta. “Dy kriminelë që janë kushërinj të mij të shkallës së dhjetë, janë arrestuar për trafik droge dhe siç është bërë publike, pa hezituar të përdorin dhe emrin tim. Sigurisht kriminelë që përdorin emra politikanësh dhe ministrash,për tu mburrur me njëri tjetrin në dobi të fitimeve të paligjshme, ka pa fund dhe unë nuk jam as i pari dhe as i fundit. Nuk do doja të isha në këtë pozitë pa dashjen time, por menjëherë do të kërkoj nga prokuroria, personalisht dhe me vullnet të plotë, pa përfituar nga asnjë lloj imuniteti parlamentar e politik, që i refuzoj, të verifikohet dhe hetohet gjithshka”.

Sipas Zaganit, akuzat e të cilit u hodhën poshtë që në atë kohë nga ish ministri, Habilajt, lëviznin me një automjet, tip “Audi” i cili ishte i zotit Tahiri. Ky i fundit deklaroi atëherë se ja kishte shitur automjetin Habilajve, ndërkohë që opozita pretendoi se ish ministri kishte udhëtuar me të njejtin automjet dhe pas periudhës në të cilën ai kishte kryer shitjen. Një fakt të tillë më pas e pranoi dhe vëllai i Moisi Habilajt, një ndër të arrestuarit e sotëm në Itali.

Sot zoti Tahiri tha se ndjente përgjegjësi morale “që kam bërë gabimin e madh dhe të vetëm që u kam shitur makinën personale. Nuk duhet të kisha neglizhuar kurrë të verifikoja kujt ja kisha shitur makinën. Përtej kësaj as kam patur dhe as kam asnjë raport, aq më pak të paligjshëm, ndaj nuk kam asnjë përgjegjësi më shumë, prandaj dhë dënoj çdo veprimtari kriminale, të kujtdo, qofshin dhe këta kushërinj të gradës së dhjetë, që s’kanë heziatur të përdorin emrin tim”. Ish ministri kishte kërkuar gjatë ditës një takim me Prokurorin e Përgjithshëm Aritik Llalla, takim i cili nuk u realizua për shkak të angazhimeve të këtij të fundit.

Më herët kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte shprehur se autoritetet italiane kishin sjellë në Shqipëri fakte dhe prova që e lidhin, sipas tij, zotin Tahiri me aktivitetin e Habilajve. Sipas zotit Basha, ish ministri duhej arrestuar, ndërsa fajësoi kryeministrin Edi Rama se po vazhdonte ta merrte atë në mbrojtje.

Nga ana e tij zoti Rama reagoi pasdite duke u shprehur se pavarësisht mbështetjes që I ka dhënë zotit Tahiri “Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën. Prandaj – theksoi ai në një postim në Facebook - të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG