Lidhje

Rasti Tahiri, bashkohet opozita: Të largohet Rama


Në Shqipëri, në përfundim të një takimi të përbashkët, partitë e opozitës kërkuan sot njëzëri largimin e kryeministrit Edi Rama nga drejtimi i Qeverisë. Kërkesa vjen pas dyshimeve për lidhjet mes ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe një prej shqiptarëve të arrestuar dy ditë më parë në Itali si pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikun e marijuanës nga Shqipëria në Itali.

Shqipëri: Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:28 0:00

Publikimi i dosjes së përgjimeve të kryera nga autoritetet italiane të bisedave të anëtarëve e organizatës italo-shqiptare që merrej me trafikun e drogës mes dy vendeve, ka thelluar më tej përmasat e çështjes e cila ka përfshirë ish ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri. Moisi Habilaj, njëri prej të arrestuarve, i cili rezulton të ketë një lidhje faresfisnore me zotin Tahiri, e përmend këtë të fundit në disa raste gjatë bisedave të tij. Ndonëse në përgjime përmendet vetëm emri “Saimir”, hetuesit italianë e identifikojnë atë pikërisht me ish ministrin shqiptar. Habilaj flet për shuma disa miliona euroshe që sipas tij Saimiri “kishte siguruar vetëm në një muaj” dhe se atij nuk i mjaftonin “as 20 milion euro për fushatat elektorale”. Në raste të tjera përmendet një shumë prej “30 mijë eurosh që duhet t’ja jap atij”, apo dhe për dhurata disa mijëra eurosh “për gruan dhe nënën e Sajmirit”.

Zoti Tahiri shpjegoi dje se Habilajt ishin kushërinj të tij “të gradës së dhjetë” dhe se kishin abuzuar duke përmendur emrin e tij, ndërsa tha se përveç rastit të shitjes së autoveturës së tij, ai nuk ka patur dhe nuk ka me ta “asnjë raport, aq më pak të paligjshëm”. Ish ministri deklaroi se do të kërkonte nga Prokuroria një hetim të plotë ndaj tij dhe punës së tij.

Por për opozitën, e cila që para dy vitesh kishte denoncuar lidhjet e dyshuara të zotit Tahiri me Habilajt, ish ministri është vetëm një ndërmjetës në lidhjet që sipas saj ka kryeministri me grupet kriminale.Të mbledhura në një takim të thirrur nga kryetari demokrat Lulzim Basha, partitë e opozitës, përfshirë dhe LSI-në, njoftuan sot krijimin e “Frontit opozitar kundër krimit”.

“Fronti i Bashkuar Opozitar kërkon largimin e kryeministrit Rama si drejtuesi, si përgjegjësi dhe drejtuesi i narko-shtetit, përfituesi i drejtpërdrejtë i lidhjeve të tij mafioze dhe ministrave të tij, me narko- trafikantët dhe trafikantët e armëve. Fronti i Bashkuar Opozitar kërkon krijimin e një qeverie anti-mafia dhe të reformës zgjedhore me qëllim shembjen e lidhjeve të krimit me politikën dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si e vetmja rrugë për t’i kthyer legjitimitetin qeverisë”, u shpreh zoti Basha pas takimit.

Kryetarja e LSI-së,Monika Kryemadhi, tha se opozita do të nisë një aksion të gjerë kundër lidhjeve të qeverisë me krimin: “Ky front do të nisë gjithë angazhimin e tij për të patur një aksion politik, që është shumë i rëndësishëm, një luftë kundër narkoshtetit i cili përfaqësohet dhe drejtohet nga kryeministri Edi Rama.

Opozita i kërkoi gjithashtu Prokurorit të Përgjithshëm të nisë urgjent dhe të kryejë me shpejtësi, hetimin për ish-Ministrin Sajmir Tahiri.

Në një reagim të gjatë në facebook, Kryeministri Edi Rama u përgjigj duke u shprehur se sipas tij “opozita nuk kërkon as shtet serioz e as drejtësi të drejtë, por pushtet për vete. Dhe ndryshe nga ata që duan të përdorin muhabetet e kriminelëve, në luftën e tyre të dëshpëruar për pushtet, qeveria – vijon zoti Rama, do të vijojë luftën e nisur tanimë kundër rrjeteve kriminale dhe aseteve të përfituara nga krimi. Kryeministri thekson se nuk mund të jetë ai që përcakton fajin apo pafajësinë. Kjo është detyrë e sistemit të drejtësisë shtoi ai, dhe është drejtësia që duhet të zbardhë deri në fund të vërtetën”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG