Lidhje

Vlorë, kapet sasi e madhe marijuane, dyshohet mbi 4 ton


Në Shqipëri një sasi e madhe droge është zbuluar në orët e vona të natës në fshatin Babicë e Vogël në qarkun e Vlorës. Dyshohet për mbi 4 ton marijuanë e cila është gjetur në një banesë. Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua gjatë një operacioni të forcave speciale të policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të rënda.

Burime nga prokuroria bënë të ditur se operacioni është pjesë e një hetimi të nisur që në fund të vitit të kaluar në bazë të informacioneve të marra nga rrugë operative dhe përmes shërbimeve sekrete. Sipas të njejtave burimeve, operacioni përbën fazën e dytë të hetimit që disa muaj më parë çoi në sekuestrimin po në fshatrat e Vlorës të 24 tonëve marijuanë, dhe që lidhet sipas Prokurorisë me grupin e Habilajve, vëllezërve të përfshirë në organizatën kriminale italo-shqiptare e cila u godit në Catania të Siçilisë 3 ditë më parë. Një rast i cili ka shkaktuar një furtunë politike në vend, pasi në përgjimet e trafikantëve të dyshuar përmendet disa herë emri i ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili rezulton të ketë lidhje farefisnore me Habilajt. Sipas burimeve nga Prokuroria, operacioni në Babicë, erdhi pas takimit që Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla pati dy ditë më parë me drejtorin e Shërbimit sekret shqiptar Visho Ajazi, dhe mbledhjes që ai zhvilloi dy net më pare, me drejtuesit e Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Gjatë operacioni është bërë i mundur arrestimi i disa personave, por ende nuk ka një version të plotë zyrtar. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako deklaroi sot se operacioni është ende në vazhdim.

Ndërkohë në Greqi autoritetet thanë se arrestuan tre persona, dy shqiptarë dhe një grek, të cilët po transportonin 163 kilogramë marijuanë në rrugën që lidh Janinën me Patran. Sipas policisë greke lënda narkotike ishte futur nga Shqipëria dhe po transportohej me një autoveturë në drejtim të Athinës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG