Lidhje

Prokuroria kërkon arrestimin e Tahirit


Në Shqipëri Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar sot nga parlamenti autorizim për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, ish ministër i Brendshëm, si dhe autorizimin për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës”. Sipas Prokurorisë kërkesa bazohet në të dhënat e përftuara nga hetimet që ajo vetë ka kryer së bashku me autoritetet italiane, lidhur me organizatën italo-shqiptare që kryente trafik të lëndëve narkotike, ku janë të përfshirë dhe dy vëllezërit Habilaj, të afërm të zotit Tahiri, emri i të cilit përmendet disa herë në përgjimet e bisedave të tyre

Prokuroria kerkon arrestimin e Tahirit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:31 0:00

​Kërkesa e Prokurorisë shqiptare pason goditjen në Itali tre ditë më parë të grupit kriminal italo-shqiptar, ku bënin pjesë dy vëllezërit Moisi dhe Florian Habilaj, i pari tashmë i arrestuar ndërsa tjetri i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane. Vëllezërit Habilaj rezultojnë të kenë lidhje faresfisnore me zotin Tahiri. Në përgjimet e kryera nga pala italiane, Moisi Habilaj e përmend në disa raste gjatë bisedave të tij emrin “Saimir”, të cilin hetuesit italianë e identifikojnë pikërisht me ish ministrin shqiptar. Habilaj flet për shuma disa miliona euroshe që sipas tij Saimiri “kishte siguruar vetëm në një muaj” dhe se atij nuk i mjaftonin “as 20 milion euro për fushatat elektorale”. Në raste të tjera përmendet një shumë prej “30 mijë eurosh që duhet t’ja jap atij”, apo dhe për dhurata disa mijëra eurosh “për gruan dhe nënën e Sajmirit”.

Zoti Tahiri shpjegoi dy ditë më parë se Habilajt ishin kushërinj të tij “të gradës së dhjetë” dhe se kishin abuzuar duke përmendur emrin e tij, ndërsa tha se përveç rastit të shitjes së autoveturës së tij, ai nuk ka patur dhe nuk ka me ta “asnjë raport, aq më pak të paligjshëm”. Ish ministri deklaroi se do të kërkonte nga Prokuroria një hetim të plotë ndaj tij dhe punës së tij.

Në njoftimin e saj Prokuroria shpjegon se kërkesa për heqjen e mandatit është në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”. Prokuroria për Krime të Rënda, sqaron më tej në një komunikatë se po “zhvillon hetime, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe se në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi ajo kërkon dhe autorizimin për arrestimin e ish ministrit të Brendshëm, duke lënë të kuptohet se ka në dorë të dhëna të tjera përvec atyre të dala nga përgjimet e palës italiane.

Në fakt në kërkesën drejtuar Parlamentit elementi i ri lidhet me autoveturën që zoti Tahiri i ka shitur në nëntor të vitit 2013 Artan Habilajt. Ish ministria ka deklaruar se përveç këtij moment ai nuk ka patur asnjë raport tjetër me Habilajt. Por sipas prokurorisë, në gusht të vitit 2014 ai rezulton se ka udhëtuar duke përdorur të njejtin automjet, e për më tepër nën shoqërinë e Artan Habilajt. Për këtë arsye “në kushtet e sekuestrimit të lëndës narkotike, dhënies së shpërblimeve nga grupi kriminal funksionarëve të lartë zyrtarë, mbajtjes së kontakteve të vazhdueshme me ish Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova për ekzistencën e veprimtarisë kriminale dhe përfshirjes në këtë veprimtari të të dyshuarit Saimir Tahiri”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Menjëherë pas njoftimit të Prokurorisë për kërkesën e saj dërguar parlamentit, kryetari demokrat Lulzim Basha kërkoi thirrjen e menjëhershme të Komisionit të mandateve dhe të seancës parlamentare: “Çdo minutë, çdo orë vonesë do të shërbejë për shkatërrimin e provave. Thirrja ime është për mbledhjen e menjëhershme të Komisionit të Mandateve, dhe të seancës plenare, për të votuar heqjen e imunitetit, që do ti hapë rrugë arrestimit të menjëhershëm të Saimir Tahirit. Thirrja ime është për largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga posti i kryeministrit. Koha nuk pret”

Kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi, njoftoi se Këshilli i Mandateve do të mblidhet në mbrëmje nesër në orën 11.00. Vetë zoti Tahiri ka shmangur komentet mbi kërkesën e prokurorisë, dhe ndërsa dilte nga banesa e tij është mjaftuar vetëm me një frazë ironike: “Nuk keni parë gjë akoma”

Nga ana e tij, përmes një statusi në Facebook, kryeministri Rama është shprehur se uron që “që Saimiri të provojë deri në fund që s’ka lidhje me këtë histori kriminelësh”, duike shtuar se këtë kërkon ta mësojë “nga drita e së vërtetës” që nuk e ka as ai vetë, as qeveria dhe as partia. “E ka vetëm drejtësia që duhet të na e ndriçojë këtë udhëkryq mes llafeve e provave. Deri në fund”, e mbyll postimin e tij kryeministri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG