Lidhje

Pres. Trump dhe qëndrimi ndaj familjarëve të ushtarëve të rënë në luftë


Presidenti amerikan Donald Trump i hodhi poshtë akuzat e ligjvënëses së Floridës lidhur me një bisedë telefonike që ai kishte patur me të venë e njërit prej katër ushtarëve amerikanë të vrarë më 4 tetor në Niger. Ligjvënësja Frederica Wilson tha se e kishte dëgjuar bisedën e presidentit me të venë e rreshterit, La David Johnson dhe mendonte se ato ishin të papërshtatshme. Ky debat i thellon më tej polemikat e shkaktuara nga pretendimi i mëparshëm i presidentit Trump se paraardhësit e tij nuk i telefononin familjet e viktimave, sikurse bën ai. Edhe më parë, gjatë fushatës së tij presidenciale, zoti Trump ka patur një incident të ngjashëm, me të afërmit e një ushtari që humbi jetën në detyrë, duke sugjeruar se nënës me origjinë pakistaneze të një ushtari të vrarë në Irak nuk i lejohej të fliste në publik.

Ligjvënësja e Floridës Frederica Wilson thotë se ajo ishte në makinë me të venë shtatzënë të ushtarit Johnson, kur atë e telefonoi presidenti Trump dhe e kishte dëgjuar që t’i thonte: “Ai e dinte që kur u regjistrua për në ushtri se ç’mund ta priste…por sidoqoftë, kur ndodh, është e dhimbshme.”

"Nuk mund t’i thuhet gruas së ve, të pikëlluar, se i shoqi ishte regjistruar për të vdekur,”- tha ligjvënësja.

Të mërkurën Presidenti Trump mohoi t’i kishte thënë këto fjalë:

"Unë nuk i kam thënë fjalët e ligjvënëses. Ajo e di këtë dhe tani nuk po flet më. Unë nuk i kam thënë ato fjalë dhe do të doja që ajo ta bënte përsëri këtë deklaratë.”

Por Wilson i qëndroi komenteve të mëparshme:

"Le të sjellë transkriptimin e bisedës. Unë nuk isha personi i vetëm në makinë. Nuk ka pse të gënjej për një telefonatë.”

Nëna e La David Johnson ia konfirmoi gazetës “The Washington Post” fjalët e zonjës Wilson. Shtëpia e Bardhë tha se nuk ka transkript të bisedës, por shefi i personelit i Shtëpisë së Bardhë John Kelly ishte i pranishëm gjatë bisedës dhe mendonte se ajo kishte qenë normale.

"Ai mendon se biseda kishte qenë me respekt dhe se Presidenti kishte bërë më të mirën në ato rrethana, kur ofroi ngushëllime në emër të vendit.”- tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë.

Presidentin Trump e kanë kritikuar për vonesë në reagimin për ushtarët e vrarë në Niger. Ai e ka mbrojtur veten duke kritikuar paraardhësit e tij:

"As Presidenti Obama dhe as shumica e presidentëve të tjerë nuk i kanë telefonuar familjet e viktimave. Mua më pëlqen t’i telefonoj, kur mendoj se mundem ta bëj këtë.”

Kur ndihmësit e ish presidentëve e kundërshtuan këtë deklaratë, zoti Trump, ai përmendi në një intervistë televizive se Presidenti Obama nuk e kishte telefonuar zotin Kelly kur djali i tij u vra në Afghanistan në vitin 2010. Kelly nuk komentoi, por sipas njoftimeve ai me gruan kishin qenë të pranishëm në një mëngjes në Shtëpinë e Bardhë, me familjet e ushtarëve të vrarë në vitin 2011 dhe se ishin ulur në tavolinën e Zonjës së Parë.

Presidenti Trump e ka mbrojtur vazhdimisht rëndësinë e ushtrisë amerikane dhe ka mbështetur shtimin e shpenzimeve ushtarake, por reagimi i tij ndaj vdekjes së ushtarëve ka nxitur mjaft kritika.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG