Lidhje

Rama: Jo arrestimit pa prova të Tahirit

  • Armand Mero

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama deklaroi sot se partia e tij do të refuzojë kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri si “të pabazuar në prova”, ndërsa theksoi se do t’i japë të gjithë mbështeten “nje hetimi serioz e të thellë”. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, zoti Rama tha se deri në përfundim të procesit “Tahiri nuk do të jetë më pjesë e këtij grupi dhe as e forumeve drejtuesve të Partisë socialiste”. Prokuroria reagoi menjëherë duke folur për “ndërhyrje politike në proçesin e hetimeve”. Ndërsa opozita u shpreh se sipas saj, me këtë vendim kryeministri vërtetoi lidhjet e tij me krimin

Prokuroria kërkoi nga parlamenti autorizimin për arrestimin e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, duke u mbështetur në hetimet që ajo kishte kryer ndaj grupit Habilaj në Shqipëri dhe përgjimet e këtij grupi në Itali, ku emri i zotit Tahiri përmendej në disa raste për marrje shumash të mëdha parashë. Por faktet e sjella nga prokuroria në Komisionin e Mandatave dhe Imuniteteve, u vlerësuan nga përfaqësuesit e shumicës si të pamjaftueshme për të mbështetur kërkesën për arrestim.

Në një fjalë të gjatë rreth çështjes Tahiri, e cila që prej një jave ka mbërthyer debatin politik, kryeministri Rama mbrojti qëndrimin që përfaqësuesit e partisë së tij mbajtën në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve. Ish ministri i Brendshëm ka qenë ndër figurat të cilit i ka dalë gjithnjë në krah duke e lëvduar për punën e tij. Por sot ai tha se detyra e shumicës për të bërë avokatin e zotit Tahiri “ka mbaruar ditën që ai ka marrë një avokat për t’i hyrë në një betejë ligjore për drejtësi. Kjo parti – nënvizoi ai - nuk ka për t’u bërë asnjëherë mburoja e kujtdo përballë drejtësisë, por nuk do lejojmë që në emër të Drejtësisë të griset kushtetuta e të poshtërohen deputetë e shërbëtorë publik, me alibinë se po luftohet krimi e korrupsioni apo me synimin për të bërë dhe larjen e hesapeve për llogari të palëve politike”.

Sipas kryeministrit në Komisionin e Mandateve dhe Imuniteteve, “prokuroria dha një shfaqje sa komike aq dhe dramatike”. Ndërsa foli për mungesë provash që të mbështesnin kërkesën për arrest, zoti Rama la të kuptohej se lëvizjet e prokurorisë sipas tij ishin të motivuara politikisht: “Uroj sinqerisht që prokurorët e kësaj çështje shumë serioze e të rëndësishme ta mbledhin vetën, të mbyllin komunikimet me nxitësit e nxituar të asaj farse, të fokusohen te çështja e të bëjnë deri në fund punën e tyre”.

Për rastin e zotit Tahiri parlamenti do të shprehet me votë ditën e mërkurë. Qëndrimi i socialistëve është tanimë fare i qartë. “Kërkesa për arrestim është e papranueshme se është arbitrare. Kërkesën për arrest e refuzojmë unanimisht”, deklaroi zoti Rama duke shtuar se “për t’i dhënë të gjitha mundësitë e nevojshme për kryerjen e një hetimi serioz, të thellë e e shterruese përfaqësia jonë ka nënvizuar pranimin e kërkesës për: Dhënien e autorizimit për ndalimin e daljes jashtë shtetit; Detyrimin për paraqitjen në policinë gjyqësore; Ndalimin dhe detyrinin për të qëndruar në një vend të caktuar; Garancinë pasurore dhe Kontrollin e banesës dhe personal”.

Sipas kryeministrit “Tahiri nuk mund të linçohet me një burgosje që në këto kushte ka vetëm qëllime të poshtra, por duhet gjithsesi të hetohet dhe deri kur e vërteta të dalë ne do vigjilojmë mbi procesin vetëm në aspektin e garancive kushtetuese ligjore por nuk do përzihemi si mbrojtës të Tahirit”. Dhe deri në përfundim të procesit “Saimir do të jetë një njeri i lirë dhe një deputet i lirë për të bërë betejën e tij ashtu si do e mendojë ai, jashtë forumeve të PS dhe jashtë grupit parlamentar”, theksoi zoti Rama.

Nuk ka vonuar reagimi i Prokurorisë e cila u kundërpërgjigj duke nënvizuar se “deklaratat politike nuk e kanë intimiduar dhe nuk mund ta intimidojnë aktivitetin e saj hetimor”. Duke ju referuar fjalës së kryeministrit, Prokuroria vëren se ai “shprehu opinionin dhe vlerësimin mbi provat e paraqitura në mënyrë sekrete nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda në Këshillin e Mandave dhe Imuniteteve në Parlamentin e Shqipërisë. Pra, në mënyrë publike, Kryeministri mori rolin e gjykatës, një atribut që nuk i takon as me Kushtetutë dhe as me ligj. Në vlerësimin tonë, ky qëndrim publik i Kryeministrit është sinjal i qartë që lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, qëllimi i të cilës ishte edhe miratimi i Reformës në Drejtësi, do të kontrollohet nga politika”, thekson deklarata e Prokurorisë.

Të shpejta kanë qenë dhe reagimet e politikës. “Fakti është që Edi Rama ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin për të mbrojtur Saimir Tahirin. Parlamenti nuk ka të drejtë të rrëzojë një kërkesë të organeve të drejtësisë të bërë konform rregullave, as nuk ka të drejtë të kthehet në gjykatë dhe të gjykojë provat, kjo i takon gjykatës. Edi Rama po mbron Saimir Tahirin sepse është peng i lidhjeve kriminale të Saimir Tahirit, i trafiqeve të drogës dhe sepse ka frikë nga hetimi i pavarur i drejtësisë, hetim që do të zbulojë edhe bashkëpunëtorë të tjerë në kupolën qeveritare, të krimit të organizuar. Ndaj po bën gjithçka për ta penguar këtë hetim. Drejtësia është e nëpërkëmbur, është e kërcënuar”, u shpreh kryetari demokrat Lulzim Basha.

Në të njejtën linjë dhe Lëvizja socialiste për integrim: “Kryeministri shqiptar iu hoqi çdo mëdyshje shqiptarëve për lidhjen me krimin dhe trafikantët. Po, ai është një prej tyre, mbështetësi, inspiruesi dhe përdoruesi i tyre. Drejtësia po përballet sot me një pengesë të madhe që nuk janë më vetëm kriminelët por edhe kryesuesi i falangës politike që i mbështet dhe sakrifikohet për ta”, deklaroi Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së.

Për momentin të dy partitë kanë vendosur të bojkotojnë pjesmarrjen në komisionet parlamentare, ndërsa ende nuk kanë vendosur se cila do të jetë lëvizja e tyre në situatën e krijuar. Zoti Basha dhe zonja Kryemadhi nisën në mbrëmje një tjetër takim me njëri-tjetrin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG