Lidhje

Rrëzohet kërkesa për arrestimin e Tahirit

  • Armand Mero

Në Shqipëri, me votat e shumicës së majtë parlamenti rrëzoi sot kërkesën e Prokurorisë për marrë autorizimin për arrestimin e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, pas dyshimeve për lidhje të tij me vëllezërit shqiptarë Habilaj, pjesë e një organizate krininale italo-shqiptare e cila u godit nga autoritetet italiane në Catania. Për opozitën vendimi i sotëm i shumicës ishte sipas saj, një dëshmi e lidhjeve të forta të qeverisë me krimin.

Ndërsa sipas rregullores, deputeti Saimir Tahiri, ju drejtua foltores për të dhënë në hapje të seancë së sotme, shpjegimet e tij, përfaqësuesit e opozitës nxorrën secili përpara tyre fletë me mbishkrimet "Qeveri e Krimit" apo "Qeveri e Drogës". Ish ministri I Brendshëm, i vënë nën akuzë nga Prokuroria tha vetëm disa fjali: “Nuk pres ta gjej të drejtën time dhe të vërtetën time këtu në sallën e Parlamentit, por aty ku më takon, para drejtësisë dhe para të gjithë qytetarëve. Kështu që pres çdo vendim tuajin cilido aq qoftë. Rruga ime për të gjetur drejtësinë nuk ndalet dot”

Përpara se parlamenti të votonte, u lexuan dy raportet e deputetëve të shumicës dhe atyre të opozitës, në Komisionin e Mandatave dhe Imuniteteve. Sipas përfaqësuesve socialistë prokuroria nuk ka sjellë prova dhe se ajo nuk ka kryer paraprakisht hetime ndaj ish ministrit të Brendshëm. “Mungesa e provave, nxitimi i organit të akuzës për të kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit Saimir Tahiri, dy ditë pasi ka regjistruar procedimin penal dhe emrin e tij në regjistrin e çështjeve penale, krijon bindjen se në këtë stad të hetimeve që ka kryer Prokuroria, kërkesa ka sfond politik”, u shpreh deputeti socialist Ulsi Manja duke lexuar raportin e shumicës.

Por sipas opozitës parlamenti nuk duhet të hyjë në vlerësimin e provave, pasi në këtë mënyrë vlerëson fajësinë apo pafajësinë e deputetit nën hetim. Raporti i përfaqësuesve të opozitës thekson se provat e paraqitura nga Prokuroria janë mëse të mjaftueshme dhe se mos arrestimi i tij përbën rrezik për prishjen e provave. Mosdhënia e autorizimit për arrestim do të ishte sipas opoztës “pengim i drejtësisë dhe goditja më e energjike ndaj shpresës së publikut dhe aksionit politik për reformën në Drejtësi”.

Në fund rezultati i votimit ishte ai që pritej: 75 deputetë të shumicës votuan kundër autorizimit për arrestimin e zotit Tahiri, ndërsa 60 deputetët e opozitës në favor.

Duke qenë se procedura nuk parashikon debate në raste të tilla përfaqësuesit e të gjithë krahëve shfrytëzuan hapësirën për diskutimet e lira për të shpalosur dhe një herë qëndrimet e tyre politike. "Sot në fakt shumica humbi një shans që të tregonte se është e sinqertë në luftën kundër krimit dhe drogës. Por votimi i sotëm tregoi se krimi ka kapur shumicën", u shpreh kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Për kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, socialistët e kanë zëvëndësuar trëndafilin, simbolin e tyre me lulen e hashashit: "Sot ky parlament është kthyer në vulën e narkoshtetit Rama-Tahiri. Narkoshteti Rama-Tahiri ka dy standarde për drejtësinë: një për veten e tyre dhe një për njerëzit e thjeshtë. Narkotrafikantët dhe narkopolitikanët janë të paprekshëm".

Në fjalën e tij, kryeministri nuk u mor më me thelbin e çështjes por ju drejtua opozitës e cila nisi të largohej nga salla: “Le të çirren, le të bërtasin, le të ulërijnë me emrin e Shqipërisë në gojë, por ta harrojnë se do ta bëjnë dot për budalla këtë popull. Mund të gjejnë dhe do të gjejnë sa të duan edhe tellall në kazanin e medias, kot e kanë. Ky popull e di mirë edhe kush janë edhe çfarë duan edhe kujt i tremben edhe çfarë duhet të mendojë për ta sigurisht”.

Menjëherë më pas, ndërsa seanca u mbyll, kryeministri ju drejtua gazetarëve në oborrin përpara godinës së parlamentit. Në mënyrë të beftë ai nisi të fliste duke sulmuar mediat për mënyrën se si kishin trajtuar “çështjen Tahiri” duke mos dhënë sipas tij informacione të sakta e duke përdorur fjalë fyese ndaj pyetjeve që ju drejtuan aty. Përfaqësues të ndryshëm të medias reaguan të indinjuar nga qëndrimi i zotit Rama ndërsa Unioni i gazetarëve bëri thirrje që ditën e premte të bojkotohen aktvitetet e kryeministrit në shenjë proteste ndaj “komunikimit arrogant dhe fyerjeve nga ana e kreut të qeverisë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG