Lidhje

Çështja Tahiri, Lu: Qytetarët meritojnë të vërtetën


Në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu tha sot se “publiku duhet të dijë të vërtetën” për çështjen e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për të cilin prokuroria kërkoi nga parlamenti autorizimin për arrestim pasi dyshon për lidhje të tij me vëllezërit shqiptarë Habilaj, pjesë e një organizate kriminale italo-shqiptare që merrej me trafikun e drogës mes dy vendeve. Ndërkohë, një ditë pas vendimit të parlamentit, policia gjyqësore ushtroi sot pasdite kontroll në banesën e ish ministrit

Një ditë më parë zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Brian Yee, në një intervistë për Zërin e Amerikës në Prishtinë foli për çështjen Tahir në Shqipëri. Au u shpreh se ligji duhet zbatuar njësoj për të gjithë, se askush nuk mund të ketë imunitet, dhe se individët nuk duhet të vihen në shenjëstër pse i përkasin një partie a një tjetre, por qeveria shtoi ai, duhet të japë shembullin se është seriozisht e angazhuar për të luftuar korrupsionin. Kësaj teme, e cila prej javës së shkuar ka dominuar debatin politik dhe opublik në Shqipëri, i kushtoi vëmendje sot dhe ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu.

Gjatë një aktiviteti me Këshilin rinor të ambasadës kundër Korrupsionit, ambasadori amerikan bëri fillimisht një paralele mes kohës së komunizimit kur njerëz të pafajshëm përfundonin në burgje, dhe problemit po aq të turpshëm siç e quajti ai të 27 viteve demokraci, “me politikanë të fuqishëm, nga e djathta dhe nga e majta, që kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë, pa pushim”.

Për rastin konkret ambasadori Lu u shpreh se “nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj, ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën. E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”.

Ambasadori theksoi faktin se zoti Tahiri ka marrë besimin e qtetarëve si deputet dhe Ministër i Brendshëm prandaj “është përgjegjësia juaj të kërkoni që publiku të dijë të vërtetën për këtë çështje. Nëse është i pafajshëm, njerëzit duhet ta dinë këtë. Nëse është fajtor, ai duhet të përballet me drejtësinë”.

Komentet e zyrtarëve amerikanë u interpretuan në mënyra të ndryshme. Përmes një postimi në Facebook kryeministri Edi Rama falenderoi ambasadorin Lu duke shkruar se deklaratat e tij ishin “një mesazh i qartë për shqiptarët që duan drejtësi, jo gjyqe komuniste për këdo që kanë votuar a paguar me taksat tyre”, ndërsa me herët kishte postuar të plotë përgjigjen e zotit Hoyt Yee për rastin e ish ministrit Tahiri, nw intervistwn me Zwrin e Amerikws.

Nga ana e tij kryetari demokrat Lulzim Basha, pati një takim me ambasadorin Lu dhe me pas nga selia e partisë së tij deklaroi se “Qeveria e SHBA ka folur fare qartë. Unë nuk jam këtu për të interpretuar qëndrimet e tyre. Po ju mund të shikoni mbështetjen e plotë që i është dhënë hetimit, gjykatësve, prokurorisë dhe dënimit të cdo qëndrimi që mbron përmes imunitetit parlamentar, politikanët e akuzuar për lidhje me krimin”.

Sipas zotit Basha zgjidhja e vetme në këtë situatë do të ishte një qeveri antimafia që do të çmontonte krimin siç u shpreh ai, ndërsa tha se opozita do e zhvillojë betejën e saj në parlament, paralelisht me mbështetjen që i jep organeve të drejtësisë për hetimin e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Një ditë pasi parlamenti votoi kundër kërkesës së prokurorisë për arrestimin e zotit Tahiri, duke lejuar megjithatë kontrollin e tij personal apo të banesës, sot pasdite katër oficerë të policisë gjyqësore mbërritën në apartamentin e tij në Tiranë. Ata qëndruan aty për më shumë se dy orë, në prani dhe të avokatit të ish ministrit të Brendshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG