Lidhje

Shtyhet publikimi i një pjese të dosjeve për vrasjen e presidentit Kennedy


Presidenti amerikan, Donald Trump, urdhëroi të enjten publikimin e 2 mijë e 800 dokumenteve që lidhen me vrasjen e presidentit John F. Kennedy më 1963, por për shkak të trysnisë nga FBI dhe CIA, vendosi të bllokojë publikimin e një pjese të informacioneve që duhet të shqyrtohen edhe më tej.

Kongresi kishte urdhëruar më 1992 që të gjitha të dhënat mbi hetimin e vdekjes së presidentit Kennedy, të hapen për publikun dhe caktoi 26 tetorin e vitit 2017 si afat që të gjitha dokumentet të bëhen publike.

Presidenti Kennedy u vra ndërsa limuzina e tij përshkonte Dallasin në Teksas, më 22 nëntor 1963. Ai ishte me gruan e tij, Jackie.

Agjenti i Shërbimit Sekret, Clint Hill shkoi me shpejtësi tek limuzina, disa sekonda pasi presidenti u qëllua.

Ma mori mendja që plaga ishte vdekjeprurëse, por nuk isha plotësisht i sigurt. Por e vetmja gjë që tha zonja Kennedy ishte “Oh Jack, oh Jack, çfarë bënë kështu?’ dhe pastaj shtoi “Jack, të dua”, kujton ai.

Lee Harvey Oswald, që kishte qenë i arratisur në Bashkimin Sovjetik, u akuzua për vrasjen e Presidentit Kennedy.

I pyetur nëse kishte qëlluar presidentin, ai tha jo.

Oswald u vra dy ditë më pas nga Jack Ruby, pronar i një klubi nate, duke shtuar frikën se bëhej fjalë për një komplot.

Presidenti Donald Trump njoftoi përmes një mesazhi në Twitter, se do të lejonte publikimin e pjesës së fundit të dosjeve të Presidentit Kennedy, pasi ato të rishikoheshin.

Publikimi i plotë i dokumenteve, mund të nxjerrë informacione të reja për vrasjen e presidentit, thotë eksperti Larry Sabato.

Do të jetë një moment i rëndësishëm, sepse më në fund, pas afro 54 vjetësh, studiuesit do të kenë të gjithë informacionin që ka pasur qeveria dhe do të jenë në gjendje të bëjnë vlerësime të reja për vrasjen e Kennedy-t.

Me interes të veçantë për profesorin Sabato dhe ekspertë të tjerë, është se çfarë dinin agjencitë qeveritare dhe me kë i ndanë informacionet lidhur me vizitat e Oswaldit në ambasadat sovjetike dhe kubaneze në Mexico City para vrasjes.

Dua të mësoj më shumë se çfarë dinin që më parë dhe pse, nëse mund ta marrim vesh nga dokumentet, nuk kishin komunikuar më mirë me njëri-tjetrin”, thotë ai.

Raporti zyrtar i Komisionit Warren, arriti në përfundimin se Oswald kishte vepruar i vetëm, por publiku ka pasur dyshime për një kohë të gjatë, thotë profesor Sabato.

Numri i amerikanëve që besojnë se vrasja ishte komplot ka variuar nga 60 deri në 75 për qind, prandaj është shumë e qartë se shumë amerikanë nuk besojnë se Lee Harvey Oswald veproi i vetëm.

Pavarësisht nga mosbesimi, nuk ka pasur prova përfundimtare që të bëjnë të mendosh se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vrasje, përveç Oswaldit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG