Lidhje

Mattis paralajmëron Korenë e Veriut


Sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të pranojnë asnjëherë një Kore Veriore të armatosur me armë bërthamore. Jim Mattis tha sot në Seul se programet agresive të zhvillimit të armëve dhe raketave bërthamore nga Pheniani po minojnë sigurinë e koreano-veriorëve. Drejtuesit amerikanë dhe koreanojugorë të mbrojtjes thonë se kanë opsione ushtarake dhe masa frenuese të mjaftueshme për t’iu përgjigjur kërcënimeve nga Koreja e Veriut.

Duke folur për gazetarët sot në Seul pas takimit vjetor të Këshillimit të Sigurisë (SCM), Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe regjimi i tij kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e Republikës së Koresë.

Mattis gjithashtu mohoi mundësinë se Shtetet e Bashkuara mund të pranojnë Korenë e Veriut si fuqi bërthamore.

“Pra, përpjekjet tona të përbashkëta pengojnë atë lloj kërcënimi dhe na japin opsione ushtarake, shumë opsione të ndryshme ushtarake që realisht do ta zvogëlojnë këtë rrezik sa më shumë të jetë e mundur. Dhe po, ne i kemi këto opsione” tha ai.

Në të njëjtën konferencë për shtyp, Ministri i Mbrojtjes së Koresë së Jugut Song Young-moo tha se aleanca do t’i përgjigjet ashpërsisht provokimeve të Koresë së Veriut.

“Unë duhet të riafirmoj se është më mirë të mos kemi dislokim ushtarak, duke parasysh mirëqënien e vendit tonë. Gjithashtu, në qoftë se pyetem nëse ne mund t’i përgjigjemi provokimit bërthamor të Koresë së Veriut, mund të them se kemi kundërmasa të mjaftueshme” tha ministri koreanojugor i mbrojtjes.

Ishte hera e parë që Sekretari Mattis dhe Gjenerali Joseph Dunford, Shefi i Shtatmadhërisë amerikane kanë zhvilluar konsultime vjetore me zyrtarët e mbrojtjes të Koresë së Jugut që nga inaugurimi i Presidentit të ri Mun-Jae-in dhe Presidentit amerikan Donald Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG