Lidhje

Heshtje zgjedhore në Maqedoni


Sot në Maqedoni është heshtje zgjedhore para balotazhit të nesërm kur votohet për kryetarë komunash. Gara pritet të jetë e vështirë sidomos në shumicën e komunave të banuara me shqiptarë. Zgjedhjet vendore atje janë po aq të politizuara sa edhe zgjedhjet e përgjithshme dhe procesi pritet të ketë ndikim edhe në rrugën evropiane të Maqedonisë.

Të dielën në Maqedoni mbahet balotazhi në 35 komuna nga tetëdhjetë sa ka gjithsej vendi. Gara më interesante pritet të jetë në komunat e banuara me shumicë shqiptare, si Tetova, Gostivari, Struga, Çairi i Shkupit dhe Dibra e Madhe. Pak mbi 830 mijë votues kanë të drejtë vote në raundin e dytë dhe numri i lartë i votuesve të regjistruar ka qenë çështje debatesh prej vitesh në shtetin e vogël prej dy milionë banorësh.

Ajo që ka qenë në qendër të debatit këto javë prej fillimit të fushatës e këndej është koalicioni i hapur midis partnerëve qeveritar, Lidhjes Social Demokrate dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, një mbështeje reciproke që rezultoi me zgjedhjen qysh në raundin e parë të kandidatit social-demokrat për kreun e qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, dhe të kreut të Kërçovës nga radhët e BDI-së, Fatmir Dehari.

Një koalicion tjetër, jo gjithaq i natyrshëm midis Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes “Besa” për shkak se e para është parti qeveritare dhe e dyta opozitare dhe veç kësaj ka pasur një histori sulmesh të ndërsjella verbale deri para dy javësh, ka gjasa reale ta rrezikojë fitoren e BDI-së në këtë garë. Dy partitë shqiptare i mbështesin kandidatët e njëra tjetrës në 12 komuna, nga Likova në veri të vendit deri në Strugë.

Aleanca me Besë, siç është quajtur bashkimi zgjedhor i tyre i ka kërkuar drejtuesit social-demokrat dhe kryeministër Zoran Zaev që të mos përzihej në komunat shqiptare dhe të mos u tregojë votuesve se për kë do të duhej ta japin votën.

Ndërkaq, BDI ka hedhur kundër-akuza ndaj partive rivale duke thënë se ato janë në koalicion me VMRO-DPMNE-në e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Elektorati i kësaj të fundit, sipas analistëve do të votonte për ta dëmtuar BDI-në në komunat me shumicë shqiptare.

Nga ana tjetër, BDI shpreson në daljen në numër sa më të madh të zgjedhësve dhe në disiplinën e mbështetësve të Lidhjes Social Demokrate, të cilët në këtë rast paraqesin një ekuilibër në balotazh.

Në Tetovë garojnë Teuta Arifi e BDI-së dhe Bilall Kasami i Lëvizjes “Besa”; në Gostivar Nevzat Bejta i BDI-së dhe Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët, në Strugë Ziadin Sela (ASH) kundër Ramiz Merkos(BDI), në Çair Visar Ganiu (BDI) përballet me Zeqirja Ibrahimin (“Besa”), ndërsa në Dibër Ruzhdi Lata (BDI) me Arben Agollin e Aleancës për Shqiptarët.

Procesin do ta ndjekin 470 vëzhgues të huaj dhe mbi pesë mijë përfaqësues të organizatave joqeveritare vendase.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG