Lidhje

Shtëpia e Bardhë mbi raportet Trump-Duterte


Shtëpia e Bardhë tha të martën se Presidenti Donald Trump ka krijuar një "raport të ngrohtë" me presidentin Rodrigo Duterte të Filipineve edhe pse udhëheqësi i Manilës ka sulmuar verbalisht Shtetet e Bashkuara me fjalë të ndyra.

Duke folur për detajet e vizitës së Trump në pesë vende të Azisë që fillon të premten dhe përfshin një ndalesë në Manila, një zyrtar i lartë i administratës tha se presidenti Trump dhe homologu i tij Duterte janë bërë miq gjatë bisedave telefonike dhe shkëmbimeve postare.

"Mendoj se është një raport i ngrohtë mes tyre dhe presidenti është entuziastë për ta takuar personalisht Presidentin Duterte", tha zyrtari. Takimi i tyre është caktuar në fund të udhëtimit 12-ditor të presidentit Trump që përfshin vizita në Japoni, Korenë e Jugut, Kinën dhe Vietnamin.

Duterte ka pohuar se Shtetet e Bashkuara, edhe pse kanë patur një aleancë të gjatë me Filipinet, e ka trajtuar atë "si qen" dhe një vit më parë, përpara se Trump të merrte postin, njoftoi një "shkëputje" nga Shtetet e Bashkuara. Udhëheqësi i Filipineve ishte zemëruar se administrata e ish-Presidentit Barak Obama shprehu kundërshtime ndaj vrasjeve pa gjyq të njerëzve të përfshirë në transaksionet e drogës në vendin e tij.

Por presidenti Trump, në një telefonatë në maj me zotin Duterte, e vlerësoi fushatën e tij kundër drogës, duke thënë se DUterte po bënte “një punë të shkëlqyer për problemin e drogës."

Gjatë udhëtimit të tij presidenti Trump ka në plan të avancojë përpjekjet për të detyruar Korenë e Veriut t’i jape fund programit të armëve bërthamore dhe dhe t'i shtyjë vendet në rajon që t'i përmbahen sanksioneve të Kombeve të Bashkuara për të kufizuar tregtinë me Phenianin që i duhet të financojë provat e saj të raketave bërthamore .

Por zyrtari i Shtëpisë së Bardhë tha se zoti Trump, ndryshe nga disa presidentë të tjerë amerikanë, nuk do të vizitojë zonën e çmilitarizuar mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG