Lidhje

Reagime ndaj dorëheqjes së Ministrit britanik të Mbrojtjes


Dorëheqja e papritur e Ministrit britanik të Mbrojtjes, Michael Fallon, pas publikimit të pretendimeve për "sjellje të papërshtatshme" ka shkaktuar reagime të shumta. Në letrën e dorëheqjes për Kryeministren, Theresa May, ai shprehet se "sjelljet e mëhershme ... mund të kenë rënë më poshtë standardeve të kërkuara nga Forcat e Armatosura".

Michael Fallon kërkoi falje këtë javë për vënien e dorës në gjurin e një gazetareje në vitin 2002, por ai nuk ishte nën hetime për incidentin.

Gazetarja britanike tha se ishte e habitur nga dorëheqja e zotit Fallon.

"Unë jam tepër e tronditur. Nëse kjo lidhet me prekjen që ai i bëri gjurit tim 15 vjet më parë, për të cilin unë nuk kam ndonjë problem sot, atëherë kjo është dorëheqja më e çmendur, absurde dhe qesharake e një ministri të qeverisë në historinë e botës", tha gazetarja britanike Julia Hartley-Brewer.

Ministri Fallon shpjegoi arsyet e dorëheqjes së tij në kanalin televiziv BBC.

"Unë kam vepruar në të kaluarën, në një mënyrë që në disa raste ka qenë nën standardet që kërkohen nga forcat e armatosura dhe nuk mendoj se është e drejtë që unë të vazhdoj punën si sekretar i mbrojtjes, duke pritur respektimin e standardeve më të larta nga ushtarakët tanë ndërkohë që vetë unë dështoj t'i përmbush ato", tha ish ministri britanik i mbrojtjes.

Një ligjvënës britanik tha se mangësitë e zotit Fallon flasin për një shqetësim më të madh në qeveri.

"Mendoj se ajo që ka rëndësi në këtë rast është se shumë gra mendojnë se nuk kanë patur mbështetje. Gratë nuk janë besuar dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim për këto raste", tha Liz Kendall, deputete e Partisë Laburiste në parlamentin britanik.

Kryeministrja britanike Theresa May ka thirrur një takim të udhëheqësve të partisë për të diskutuar mbi trajtimin e çështjes së ngacmimit seksual dhe abuzimit në politikë.

Akuzat për ngacmim seksual ndaj regjisorit të Hollivudit Harvey Weinstein kanë inkurajuar gratë në disa vende për të folur publikisht për përvojat e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG