Lidhje

Haradinaj: T’i jepet fund tolerancës dhe flirteve me bartësit e ideologjive ekstremiste


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të enjten se duhet t’i jepet fund tolerancës për idetë ekstremiste, për bartësit e këtyre propagandave dhe flirteve me bartësit e këtyre ideve që çojnë kah terrorizmi.

Ai i bëri këto komente gjatë një tryeze me temën “Luftimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku pjesëmarrës ishin edhe përfaqësuesit e ambasadave perëndimore.

Kryeministri Haradinaj u bëri thirrje institucioneve që të jenë të vendosura për parandalimin e çfarëdo përhapjeje të ideologjive ekstremiste që kanë mundësi për të kaluar në terrorizëm.

“Duhet ta synojmë një fund, qoftë të tolerancës të caktuar për idetë ekstremiste që çojnë kah terrorizmi, për bartësit e këtyre ideve bashkë me propagandën e tyre. Do të ketë një fund, ku nuk mund të lejohet më. Duhet ta shënojmë një fund të flirteve me ata që janë bartës të këtyre ideve, pra ekstremiste që çojnë kah terrorizmi”, tha ai.

Kryeministri Haradinaj paralajmëroi ndëshkimin e të gjithë atyre zyrtarëve shtetëror që siç tha do të mund t’i mbyllin sytë përballë kësaj dukurie.

“Nënkupton që askush që është në mandat ligjor, askush cilido qoftë dhe çfarëdo niveli, nuk mundet as t’i mbyllë sytë as me ushtru tolerancë as mos me qenë në nivel të mandatit të vet. Kushdo që nuk është në nivel të punës së vet, duke qenë që është përparësi e ndjeshme e punës, ishte dashur që institucionet e vendit me reflektu ndaj tyre”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se duhet një plan serioz për të trajtuar dhe riintegruar ata që tashmë janë përfshirë në veprimtari ekstremiste dhe në luftëra të huaja, në mënyrë që siç tha Kosova të jetë e sigurt dhe të mos befasohet me rreziqe që mund t’i vijnë.

Kosova është anëtare e Koalicionit global për mposhtjen e ISIS-it. Ajo është përqendruar për një kohë të gjatë në ndërprerjen e valës së luftëtarëve të huaj dhe pengimin e financimit të grupeve terroriste.

Afërisht 315 luftëtarë nga Kosova udhëtuan në periudha të ndryshme për në Siri dhe Irak dhe një pjesë e tyre ishin përfshirë në luftimet përkrah ISIS-in apo Frontit al‑Nusrah. Rreth 60 besohet se janë vrarë. Rreth 120 syresh janë kthyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Besohet se edhe më tej atje ndodhen rreth 140 persona, nga të cilët 75 luftëtarë dhe të tjerët gra e fëmijë.

Nga mbi 100 veta sa janë hetuar, kundër rreth 90 janë ngritur akuza, ndërsa janë dënuar rreth 60 syresh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG