Lidhje

Arti në ndihmë të luftës kundër trafikut njerëzor


Duket joreale të ndodhë në shekullin e 21-të, por një numër i madh njerëzish blihen dhe shiten në mbarë botën. Departamenti amerikan i Shtetit përllogarit se 600,000 deri në 800,000 njerëz trafikohen çdo ditë nga një vend në tjetrin në shkallë globale. Miliona të tjerë skllavërohen brenda vendit. Në zonën e Uashingtonit njerëzit janë mobilizuar për të rritur ndërgjegjësimin për krimin e trafikimit njerëzor. Korrespondentja e Zërit të Amerikës June Soh na njeh më shumë me fushatën e artit të quajtur ArtWorks for Freedom.

24 imazhe të mëdha fotografike dhe pasazhet shpjeguese tërheqin vëmendjen e kalimtarëve në zonën Dupont Circle në Uashington.

Secili imazh me citate nga burra, gra dhe fëmijë që janë trafikuar si skllevër pune apo seksi, i nxit kalimtarët të imagjinojnë tmerret e përditshme dhe dëshpërimin e viktimave.

“Do të përpiqem të mbaj lotët. Është shumë emocionuese, e trishtueshme dhe e vërtetë. Bëra mirë që u ndala. Shpresoj ta marr me vete këtë emocion në mënyrë që të mund të bëj një ndryshim edhe nëse është vetëm duke braktisur një praktikë apo një linjë veshjesh apo diçka tjetër që mund të dëmtojë dikë”, thotë një kalimtare.

“Ndjehem ndryshe, më ka prekur. E dija këtë problem më parë por këto imazhe të ngacmojnë. Sigurisht që disa nga këto viktima të trafikut shfrytëzohen për të bërë produkte më të lira”, thotë një turist nga Londra.

Fotografi i shquar, Kay Chernush krijoi kolazhin dhe ndërtoi imazhet nga fotografitë e personave të trafikuar.

"U njoha fillimisht me problemin e trafikut njerëzor përmes një pune që bëra për Departamentin e Shtetit në vitin 2005. Më dërguan në Hong Kong, Makau, Tajlandë dhe Itali të fotografoja dëshmi të trafikut njerëzor në forma të ndryshme”.

I tronditur nga këto shkelje të të drejtave të njeriut, Chernush vazhdoi të punojë në vende të ndryshme në partneritet me OJQ kundër këtij trafiku.

Ekspozita e parë në natyrë u mbajt në Hagë në vitin 2009 dhe më pas u çua në qytete të tjera në Holandë.

“Kjo ishte gjeneza e fushatës ArtWorks for Freedom. Nëse fotografia mund të jetë kaq e fuqishme, jo vetëm për të ngjallur emocionin e audiencës por edhe për t’u dhënë zë viktimave, përse të mos përfshijmë forma të tjera arti përveç fotografisë ".

Artistë të tjerë si Erica Rebollar iu bashkuan fushatës duke përdorur mediumet e tyre përfshirë kërcimin, për të përcjellë udhëtimin e viktimave të trafikut nga trauma deri në shërim.

"Mendoj se arti sjell një ngacmim më të madh përmes ndjeshmërisë. Pikërisht atë dua të përcjell me këtë pjesë kërcimi. Krijimin e një mjedisi të ndjeshëm për historitë individuale, dhe mendoj se kjo i prek njerëzit edhe më shumë sesa thjesht duke lexuar fakte".

Ekspozitat janë shfaqur në qytete të mëdha në shumë vende të botës. Fushata në Uashington paraqet gjithashtu art të krijuar nga fëmijët e punëtorëve imigrantë dhe jorganë të prodhuar nga të mbijetuar të trafikut.

"Synimi ynë me fushatën ArtWorks for Freedom është ndërgjegjësimi për trafikun njerëzor. Është diçka që mund ta çrrënjosim dhe të gjithë kemi një rol për të luajtur. Të gjithë mund të bëjmë diçka.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG