Lidhje

SHBA, Fillon zbatimi i politikave të reja ndaj Kubës


Administrata e Presidentit Donald Trump do të fillojë të vërë sot në zbatim ndryshime për ta orientuar aktivitetin ekonomik drejt sektorit privat në këtë vend-ishull, duke mos lejuar shkëmbime ekonomike me shërbimet ushtarake, të sigurisë dhe të zbulimit të qeverisë kubane, si dhe do të vendosë kufizime udhëtimi dhe biznesi mbi shtetasit amerikanë që kanë marrëdhënie me kubanët:

Në bazë të kufizimeve të reja, pjesa më e madhe e amerikanëve që vizitojnë Kubën nuk do të jenë në gjendje të udhëtojnë në mënyrë individuale, por në grupe të organizuara nga kompani udhëtimesh në Shtetet e Bashkuara.

Udhëtarët do të shoqërohen nga një përfaqësues i departamentit që e sponsorizon udhëtimin. Kufizimet janë përcjellë me kritika nga disa amerikanë.

“Flas nga përvoja ime, nga ato që kam parë në Kubë, ne duhet të kemi marrëdhënie të hapura SHBA-Kubë,” thotë një vizitor nga Florida.

“Njerëzit këtu kanë të afërm atje dhe anasjelltas. Nuk ka asnjë kuptim të marrësh vendime që i vështirësojnë gjërat,” thotë Ricardo Stusser.

Departamenti i Shtetit nxori një listë me 83 hotele dhe biznese të tjera që thotë se kanë lidhje me ushtrinë kubane. Lista përfshin dyqane, molo për ankorim dhe dy kantina për prodhim rumi.

Amerikanët nuk lejohen të kenë marrëdhënie biznesi me këto entitete.

“Kuba nuk ka vënë kurrë sanksione kundër popullit amerikan. Nuk është në politikën e këtij vendi, prandaj nuk parashikoj se Kuba do të përgjigjet duke vënë sanksione. Kuba është kundër sanksioneve të njëanshme. Ky qëndrim bie ndesh me parimet që Kuba ka ndjekur gjithmonë,” thotë Josefina Vidal, Drejtoreshë e Departamentit Kuban për Marrëdhënie me SHBA.

Rregullat e reja përfaqësojnë një bllokim të pjesshëm të politikave të 2015 nga Presidenti Baraka Obama për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Kubën, pas më shumë se 50 vjet embargoje nga Shtetet e Bashkuara ndaj këtij vendi komunist.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG