Lidhje

Mattis: Rusia t'i përmbahet traktatit për armët


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis tha të enjten se ministrat e mbrojtjes të NATO-s po shqyrtojnë mënyrat për të bindur Rusinë t’i përmbahet një traktat kyç për kontrollin e armëve.

Shtetet e Bashkuara thonë se Rusia ka dislokuar raketa Kruz në kundërshtim me Traktatin e Ndërmjetëm të Forcave Bërthamore, që ndalon instalimin e raketave bërthamore amerikane dhe ruse me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi me bazë tokësore.

"Ne kemi bindjen e fortë prej disa vitesh se rusët kanë shkelur traktatin dhe po bëjmë përpjekje të bindim Rusinë që ajo t’i përmbahet përsëri atij," u tha zoti Mattis gazetarëve ndërsa takohej të enjten në Belgjikë me homologët e tij të NATO-s.

Sekretari Mattis tha se diskutimet e NATO-s për Rusinë u mbajtën gjithashtu me synimin që edhe marrëveshjet e tjera të kontrollit të armëve të mbahen në fuqi.

Rusia i ka mohuar vazhdimisht këto pohime dhe ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkeljen e traktatit. Moska thotë se sistemi i raketave amerikane Patriot në Poloni dhe Rumani mund të përshtatet për të lëshuar raketa drejt Rusisë.

Mattis, i cili shtoi se edhe disa vende të tjera të NATO-s kanë prova se Rusia nuk po i përmbahet traktatit, tha se ai dhe ministrat e tjerë të mbrojtjes të NATO-s do të diskutojnë me Rusinë për ta zgjidhur këtë çështje.

Traktati u nënshkrua në vitin 1987 nga Presidenti i SHBA Ronald Reagan dhe udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik Mikhail Gorbaçov.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG