Lidhje

Aganistan, prodhimi i opiumi rritet me 87%


Afganistani ka prodhuar një rekord prej 9,000 tonësh opium këtë vit, ose 87 për qind më shumë, krahasuar me vitin 2016.

Rritja drastike është regjistruar në një anketë të re të përbashkët, që u publikua të mërkurën nga Ministria afgane kundër Trafikimit të Narkotikëve dhe zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC).

Në vitin 2016 prodhimi i lulëkuqeve, nga e cila nxirret opiumi dhe heroina, llogaritej të ishte 4,800 tonë në Afganistan, kultivuesi më i lartë i lulëkuqeve në botë.

Hulumtimi i ri vë në dukje se rritja e prodhimit është kryesisht rezultat i shtimit të zonave ku kultivohen lulëkuqet, ndërkohë që ka kontribuar gjithashtu edhe rritja e rendimentit të opiumit për çdo hektar.

Sipas studimit, rritja më e madhe e prodhimit, ndodhi në rajonin jugor të Afganistanit ku prodhimi mesatar u rrit me 19 për qind, si dhe në rajonin verilindor ku u rrit me 14 për qind.

Drejtori i zyrës UNODC për Afganistanin, Mark Colhoun, bëri thirrje për një goditje efektive mbi të ardhurat e biznesit të drogës krahas masave të tjera që nevojiten për të trajtuar problemin.

"Duhet t’i kushtojmë një vëmendje më të madhe parandalimit të rrjedhës së paligjshme financiare, identifikimit të pastrimit të parave të drogës, ndjekjeve penale dhe konfiskimit të pasurive. Kjo duhet të bëhet në bashkëpunim me ekspertë dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, pasi shumica e fondeve të paligjshme që rrjedhin nga trafiku i drogës nuk janë në Afganistan, por në banka jashtë vendit", tha zoti Colhoun.

Ushtria amerikane vlerëson se më shumë se 60 për qind e financimit për aktivitetet e kryengritësve talebanë vijnë nga prodhimi i drogës.

Shtetet e Bashkuara kanë investuar më shumë se 8 miliardë dollarë në Afganistan që nga viti 2002 për të luftuar drogat e paligjshme, por prodhimi vazhdon të shënojë nivele rekord.

Këtë muaj, gjatë një dështime në Kongres, Inspektori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara për Rindërtimin e Afganistanit John Sopko, fajësoi për situatën e krijuar, mungesën e sigurisë dhe të një strategjie amerikane për të luftuar drogën e paligjshme.

"Ajo që më shqetëson është se gjenerali Nicholson ... dëshmon se 60 për qind e fondeve që shkojnë për terroristët talebanë vijnë nga trafikimi i drogës dhe ne nuk kemi asnjë strategji….. Kurrë nuk do të fitojmë në Afganistan nëse nuk përqendrohemi në të gjithë problematikën që shkakton prodhimi i drogës", tha zoti Sopko.

Gjenerali John Nicholson është komandanti i forcave amerikane dhe atyre ndërkombëtare në Afganistan që luftojnë ndaj kryengritësve talebanë, në mbështetje të forcave afgane të sigurisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG