Lidhje

Kurse për të reaguar ndaj ngacmimeve seksuale


Akuzat e ngritura kohët e fundit për sjellje të papërshtatshme dhe ngacmime seksuale nga producenti i Hollivudit Harvey Weinstein po ndjehen edhe në nivelet më të larta të botës së biznesit. Burra në poste të rëndësishme janë përballur me akuza të ngjashme. Akuzat kanë rritur ndërgjegjësimin mbi kufirin e pranueshëm që ndan një shaka mes miqsh nga një koment ngacmues që mund t’i paraprijë një akti të paligjshëm. Korrespondentja Carolyn Presutti na njeh me një kurs special që u mëson pjesëmarrësve se çfarë duhet bërë kur vërejnë një akt ngacmimi seksual:

Potter’s House nuk është thjesht një kafene. Përveç kafesë së mëngjesit, klientët gjejnë këtu edhe një vend ku mund të qetësohen, ose të punojnë.

Menaxherët donin të krijonin një frymë komuniteti. Për këtë arsye e lëvizën makinën e ekspresit nga një qoshe e dyqanit tek banaku kryesor ku punonjësit të komunikonin më direkt me klientët gjatë punës.

Këto kohë, kur po diskutohen gjerësisht akuzat për ngacmime seksuale kundër individëve të fuqishëm, industria e shërbimit ushqimor po analizon si komunikon stafi i shërbimit me klientët.

“Kam vërejtur situata kur dikush bëhet objekt ngacmimesh dhe jam ndjerë shumë keq, por nuk dija si të veproja,” tregon një punonjës në kafene.

Për këtë arsye menaxherët sollën specialistë për të ndihmuar në trajnimin e stafit.

“Nëse personi mendon se nuk do të kenë pasoja, se askush nuk do ta vërë para përgjegjësisë, rriten shanset që të ketë ngacmime,” thotë specialistja e trajnimit.

Melissa Yeo u mëson pjesëmarrësve si të ndërhyjnë për të qetësuar situatën.

“Ndoshta me një gjest të thjeshtë. Ose në mënyrë më direkte. Sido që ta ketë më të lehtë personi që ndërhyn. Nuk ka një formulë të vetme”.

Pjesëmarrësit diskutojnë se si në industrinë e shërbimit ushqimor, ku ka një hierarki të qartë mes klientit dhe punonjësit, ka terren për diskriminim.

“Më kërkoi ndjesë dhe më tha se ishte produkt i viteve 1950, i takonte një epoke tjetër,” tregon një punonjëse.

“Ishte i pirë dhe filloi të bënte skena,” thotë një punonjëse tjetër.

Ka rrëfime edhe për sulme:

“U fsheha pas banakut, në dysheme, duke qarë”.

Në trajnim pjesëmarrësit diskutojnë spektrin e akteve të ngacmimit seksual. Ata luajnë role për të kuptuar ndikimin e veprimeve të tilla. Ideja është që me këtë ndërgjegjësim, ata do të jenë në gjendje të mbrojnë kolegët, por edhe të dinë të reagojnë kur janë vetë objekt i ngacmimeve të tilla.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG