Lidhje

Rusia dhe mediat amerikane, reagon ambasadori Huntsman


Ambasadori amerikan në Rusi ka kritikuar ashpër veprimin e Moskës për të detyruar nëntë agjenci lajmesh të financuara nga qeveria amerikane që të regjistrohen si “agjentë të huaj”.

Ambasadori Jon Huntsman e quajti veprimin e Rusisë “të tepruar” krahasuar me atë që bëri qeveria amerikane kur kërkoi që rrjeti televiziv RT i financuar nga Kremlini të regjistrohej si “agjent i huaj” në Shtetet e Bashkuara.

Ambasadori Huntsman tha gjatë një vizite të premten në zyrën e Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë në Moskë se reagimi i Rusisë nuk ishte aspak reciprok dhe se lëvizja e Moskës në këtë drejtim, nëse zbatohet, do ta bënte “praktikisht të pamundur që ato të vepronin” në Rusi.

Ambasadori tha se Ligji për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA) që ka 80 vjet që egziston dhe në bazë të cilit është regjistruar RT si agjent i huaj, ka për synim nxitjen e transparencës, por nuk kufizon punën e rrjetit televiziv në Shtetet e Bashkuara.

Dhoma e ulët e parlamentit rus miratoi të mërkurën ndryshime ligjore për të zgjeruar një ligj të vitit 2012 që vë në shënjestër organizatat jo-qeveritare, përfshi mediat e huaja. Deklarimi si agjent i huaj do të kërkonte që media e huaj të deklarojë rregullisht objektivat e saj, detaje të plota financiare, burime të financimit dhe personelin.

Mediave po ashtu mund t’u kërkohet që të bëjnë të ditura në platformat e tyre sociale apo faqet e internetit që shihen në Rusi se ato janë “agjentë të huaj”. Ndryshimet e ligjit po ashtu do të bënin të mundur bllokimin jashtë kornizës ligjore të atyre faqeve të internetit që Kremlini i konsideron të padëshirueshme. Ministria ruse e drejtësisë tha të enjten se e kishte njoftuar Zërin e Amerikës (VOA), Radion Evropa e Lirë/Radio Liria (RFE/RL) dhe shtatë media të tjera rajonale që veprojnë në Rusi se ato mund të prekeshin nga ndryshimi.

Duke iu përgjigjur një pyetje nga Zëri i Amerikës, zoti Huntsman tha: “Nuk është aspak e ngjashme me kërkesat amerikane nën ligjin FARA. Kjo i tejkalon caqet. Ne mendojmë se parimet e medias së lirë në çdo shoqëri të lirë dhe në demokraci, kanë rëndësi kritike për fuqinë tonë, shëndetin dhe mirëqënien. Liria e fjalës është pjesë e saj, ndaj edhe ambasada kujdeset për këtë çështje. Dhe, kjo është arsyeja pse ne do të ndjekim me shumë kujdes punën që po bën Duma dhe legjislacionin që është duke u hartuar, sepse kemi shqetësime për këtë.”

Ministria e Drejtësisë në Moskë tha se ndryshimet e reja në Rusi mesa duket do të bëheshin ligj “në të ardhmen e afërt”.

Drejtoresha e Zërit të Amerikës Amanda Bennet tha javën e kaluar se nëse Rusia zbaton kufizimet e reja, “Aktualisht ne nuk e dimë se çfarë efektesh do të ketë në operacionet tona brenda Rusisë për mbulimin e ngjarjeve. Ajo që mund të themi është se Zëri i Amerikës, në bazë të ligjit, është e pavarur, e paanshme, agjenci lajmesh e bazuar në fakte dhe mbetemi të përkushtuar ndaj këtyre parimeve”.

Presidenti i Radios Evropa e Lirë/Radio Liria (RFE/RL) Tom Kent tha se deri sa legjislacioni të bëhet ligj, “ne nuk e dimë se si Ministria e Drejtësisë do ta përdorë ligjin në konteksin e punës tonë.”

Zoti Kent tha se ndryshe nga Sputnik dhe media të tjera ruse që veprojnë në Shtetet e Bashkuara, mediumet amerikane që veprojnë në Rusi nuk kanë qasje në rrjetet televizive kabllore dhe frekunecat e radios.

“Mediat ruse në Shtetet e Bashkuara po shpërdajnë programet e tyre në në televizionin kabllor amerikan. Sputnik ka frekuencat e veta të radios në Uashington. Madje as në këtë moment nuk ka barazi”.

Goditje e rëndë për lirinë

Kryetari i dhomës së ulët, Duma, tha javën e shkuar se rrjetet mediatike me fonde të huaja që refuzojnë të regjistrohen si agjentë të huaj në bazë të legjislacionit të propozuar, do të ndalohen të veprojnë në atë vend.

Megjithatë, pasi gjuha e përdorur për këtë ligj është kaq e gjërë, egziston mundësia që ligji të përdoret për të vënë në shënjestër grupe të huaja mediatike, kryesisht nëse janë në konflikt me Kremlinin.

“Ne po shikojmë me kujdes, për të parë nëse miratohet dhe si do të zbatohet”, tha Maria Olson, zëdhënëse në ambasadën amerikane në Moskë.

Amendamentet ruse, për të cilat Amnesty International tha se do të shkaktojnë një “goditje serioze” ndaj lirisë së medias në Rusi nëse ato bëhen ligj, u miratuan si kundërpërgjigje ndaj një akuze amerikane se rrjeti mediatik RT zhvilloi një fushatë të mandatuar ruse për të influencuar shtetasit amerikan gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, akuzë që kanali mediatik e ka hedhur poshtë.

Komuniteti amerikan i zbulimit në fillim të vitit 2017 doli në përfundimin se Presidenti Vladimir Putin e drejtoi personalisht fushatën për të minuar demokracinë amerikane dhe ndihmuar manjatin e pasurive të patundshme Donald Trump që të fitojë presidencën. Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara po vazhdon një hetim penal lidhur me ndërhyrjen dhe po ashtu po zhvillohen disa hetime nga Kongresi.

Ndryshimet ligjore duhet të miratohen nga Senati rus dhe pastaj të nënshkruhet në ligj nga Putini.

RT, e financuar nga Kremlini për të ofruar perspektivën ruse për çështjet globale, konfirmoi javën e shkuar se kishte zbatuar afatin e caktuar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë duke u regjistruar si agjent i huaj në Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG