Lidhje

Zgjerohet bashkëpunimi mes Malit të Zi dhe Shqipërisë

  • Ali Salaj

Mali i Zi dhe Shqipëria si dy vende fqinje po zgjerojnë bashkëpunimin në fushën e përmirësimit dhe zgjerimit te infrastrukturës së komunikimit. Në këtë kuadër Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri u prit të martën në Podgoricë nga Ministri i Transportit, Osman Nurkoviç dhe nga Ministrja e Ekonomisë, Dragana Sekuliç.

Ministrat nënvizuan faktin se tashmë ka filluar puna për kryerjen e një Studimi të Fizibilitetit për autostradën Adriatiko-Joniane.

“Diskutuam në lidhje me projektet e infrastrukturës rrugore ku të dyja vendet kanë si projekt prioritar autostradën Adriatiko-Joniane. Kemi marrë financimet për të bërë studimin përfundimtar të fizibilitetit. U njoha edhe me projektet infrastrukturore në Mal të Zi që ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në lidhjen me Shqipërinë", theksoi ministri Gjiknuri.

Më tej ministrat u ndalen tek përpjekjet për krijimin e pikës së përbashkët kufitare në Han të Hotit.

Vendkalimi kufitar Bozhaj-Hani i Hotit, ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë do të rikonstruktohet dhe modernizohet deri në fund të vitit. Kështu ka paralajmëruar ministri malazez Osman Nurkoviq.

"Ndërtimi i vendkalimit të përbashkët kufitar është me një rëndësi shumë të madhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve edhe ashtu të mira me Shqipërinë, por paraqet edhe kontribut në afrimin me BE-në”, tha Nurkoviq.

Për rikonstruktimin e këtij vendkalimi kufitar, Bashkimi Evropian ka siguruar një milion euro.

Në takimin mes tyre ministrat u ndalën tek angazhimi për projektin e përbashkët Jonian Adriatik Pipeline (IAP). Ata vendosen që nga faza e krijimit të një njësie të përbashkët të kalojnë në fazën për krijimin e një kompanie të përbashkët për projektin IAP.

Në këtë kuadër, ministrat e dy vendeve morën pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të stacionit të përbashkët hekurudhor mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Hapja e stacionit u vlerësua si një sukses i përbashkët dhe si modeli i vetëm në rajon, i cili duhet të ndiqet si shembull nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG