Lidhje

Përpjekje për shkrim të rremë mbi kandidatin Roy Moore


Gazeta Washington Post thotë se ishte në shënjestër të një operacioni të fshehtë të konservatorëve të cilët u përpoqën mesa duket ta mashtronin dhe ta bënin të botonte një shkrim me përmbajtje dramatike. Shkrimi, i cili përfundimisht nuk u botua, kishte të bënte me një histori të rremë që synonte të përfshinte kandidatin republikan për në Senat Roy Moore dhe një adoleshente shtatzënë.

Gazeta Washington Post thotë se gjeti mospërputhje të shumta që lidheshin me të kaluarën e adoleshentes. Po ashtu, gjeti mospërputhje në rrëfimin e saj se si gjoja zoti Moore e kishte lënë shtatzënë dhe i kishte kërkuar të abortonte. Gazeta thotë se nuk pranoi të publikonte rrëfimin e adoleshentes, që përfshinte hollësi mjaft private.

Disa javë më parë ishte Washington Posti që publikoi i pari dyshimet për sjellje të pahijshme seksuale të zotit Moore, i cili sipas gazetës, shkonte pas vajzave adoleshente kur ishte 30 vjeç dhe shërbente si prokuror në Alabama.

Mbrëmë, zoti Moore përsëri hodhi poshtë akuzat për sjellje të pahijshme seksuale. Ai i quajti ato "një politikë e ndyrë”.

"Tani që mbeten vetëm dy javë nga zgjedhjet, në reklamat e opozitës publikohen fotografi të miturish, emrat e të cilëve nuk përmenden. Këto akuza janë krejtësisht të rreme dhe me qëllim të keq. Konkretisht unë nuk njoh ndonjërën prej këtyre grave dhe as jam angazhuar ndonjëherë në sjellje të pahijshme seksuale me ndonjë grua,” tha zoti Moore.

Roy Moore garon për vendin e senatit në Alabamës, që mbahej më parë nga Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions.

Sondazhet në Alabama tregojnë se zoti Moore është pas rivalit të tij demokrat Doug Jones.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG