Lidhje

Papa Françesku dhe kriza e komunitetit Rohinga


Papa Françesku bëri thirrje për "unitet brenda diversitetit" në Mianmar, por pa përmendur në mënyrë specifike krizën e Rohingave, gjatë një fjalimi që mbajti sot në prani të udhëheqëses civile të vendit Aung San Suu Kyi.

"Procesi i vështirë i ndërtimit të paqes dhe pajtimit kombëtar mund të përparojë vetëm nëpërmjet një angazhimi ndaj drejtësisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut", tha Papa Françesku. Ai shtoi se feja mund të luajë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e krizës.

Aung San Suu Kyi foli në përgjithësi për gjendjen e trazuar në shtetin Rakhine, duke thënë se ajo vlerëson mbështetjen e popullit të saj dhe udhëheqësve ndërkombëtarë "në trajtimin e çështjeve afatgjata, sociale, ekonomike dhe politike” të cilat siç tha “kanë zhvlerësuar besimin, mirëkuptimin, harmoninë dhe bashkëpunimin, mes komuniteteve të ndryshme në Rakhine".

Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar ushtrinë e Mianmarit për "spastrim etnik" ndaj myslimanëve Rohinga. Udhëheqësja Aung San Suu Kyi, fituese e çmimit Nobel për Paqen është përballuar me kritika lidhur me reagimin e saj ndaj krizës.

"Nuk mund të themi nëse ka ndodhur apo jo" tha Aung San Suu Kyi javën e kaluar kur u pyet lidhur me këtë çështje. "Qeveria ka përgjegjësinë që kjo të mos ndodhë", tha ajo.

Të hënën Papa Françesku u takua me shefin e ushtrisë gjeneralin Min Aung Hlaing. Ky takim shënoi fillimin e vizitës së tij në vendin në juglindje të Azisë për të diskutuar mbi dhunën në shtetin Rakhine që ka shkaktuar largimin e detyruar të mbi 620 mijë myslimanëve Rohinga drejt Bangladeshit fqinj.

"Në Mianmar nuk egziston diskriminim fetar" shkroi Min Aung Hlaing në një postim në Facebook. "Po ashtu edhe ushtria jonë ...punon për paqen dhe stabilitetin e vendit", shkruante ai.

Pas takimit 15 minutësh, zëdhënësi i Vatikanit Greg Burke tha se në takim u "diskutua përgjegjësia e madhe që kanë autoritetet e vendit në këtë periudhë tranzicioni".

Rreth 700 mijë katolikë të Mianmarit erdhën për të përshëndetur Papën ndërsa ai u ul në Yangon ndërsa më shumë se 150 mijë vetë u regjistruan për të marrë pjesë në një Meshë që do të mbahet nesër.

Kisha Katolike e Mianmarit i ka kërkuar publikisht Papa Françeskut të shmangë përdorimin e termit "rohinga", i cili shmanget edhe vendasit, pasi grupi etnik nuk është një pakicë e njohur në vend.

Udhëheqësi i kishës katolike i quajti myslimanët Rohinga, në vendin me shumicë budiste, "vëllezër dhe motrat" e tij, duke folur kundër dhunës në shtetin e trazuar të Rakhinës.

Po zëdhënësi i Vatikanit Burke nuk tha nëse Papa, e përdori këtë term në takimin e tij me gjeneralin.

Axhenda e Papës nuk përfshin një vizitë në një kamp refugjatësh, por ai pritet të takohet me një grup të vogël të Rohingave në Daka, kryeqyteti i Bangladeshit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG