Lidhje

Plane për zëvendësimin e sekretarit Tillerson me shefin e CIA-s, Pompeo


Sipas njoftimeve të medias që citojnë zyrtarë të lartë të administratës amerikane, presidenti Donald Trump mund të emërojë brenda javëve të ardhshme, drejtorin e Agjencisë Qendrore të Zbulimit, Mike Pompeo për të zëvendësuar Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson,

Disa agjenci amerikane të lajmeve njoftuan se ndryshimet në ekipin e sigurisë kombëtare të zotit Trump kanë qenë në shqyrtim për disa kohë, edhe pse nuk është e qartë në se presidenti ka marrë një vendim.

Në një shkëmbim të shkurtër me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, kur u pyet për fatin e sekretarin Tillerson, presidenti tha, "Ai është këtu. Rex është këtu." Presidenti nuk bëri komente të tjera.

Shtëpia e Bardhë minimizoi njoftimet për largimin e zotit Tillerson.

"Siç tha presidenti, Rex është këtu", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders. "Nuk ka njoftime për ndryshim të personelit në këtë moment. Sekretari Tillerson vazhdon të udhëheqë Departamentin e Shtetit dhe e gjithë qeveria është e fokusuar në përfundimin e këtij viti jashtëzakonisht të suksesshëm të administratës së Presidentit Trump".

Njoftimet e mediave thonë se sipas planit, senatori republikan i Arkansasit, Tom Cotton, një aleat i fuqishëm i zotit Trump në çështjet e sigurisë kombëtare, do të zëvendësojë zotin Pompeo në postin e shefin të CIA-s.

Largimi i zotit Tillerson nga Departamenti i Shtetit do të përfundonte një qëndrim të trazuar për ish drejtorin ekzekutiv të kompanisë Exxon Mobil, i cili është përplasur me presidentin Trump mbi shqyrtimin e kërcënimit bërthamor që paraqet udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un.

Hulumtuesi Thomas Wright në Institutin Brookings i tha Zërit të Amerikës: "Sekretari i Shtetit ka ndikim vetëm nëse ai perceptohet të jetë i afërt me presidentin. Tani që Shtëpia e Bardhë u ka thënë mediave të shumta se ka ndërmend të zëvendësojë Rex Tillersonin, ai është zhveshur nga çdo fuqi që ka gëzuar".

Por Tillerson nuk ka dhënë asnjë shenjë se ka në plan të japë dorëheqjen, duke thënë në fillim të tetorit, "Asnjëherë nuk e kam konsideruar të largohem. Unë shërbej në emër të presidentit dhe jam këtu për aq kohë sa presidenti mendon se mund të jem i dobishëm për arritjen e objektivave të tij ".

Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, senatori Bob Corker, tha se bisedoi të enjten me zotin Tillerson. "Ai po kryen detyrën normalisht dhe nuk është në dijeni të ndryshimit të gjërave", u tha zoti Corker gazetarëve.

Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur e ka diskredituar Kim Jong Unin si "Njeriun e Vogël të Raketave" dhe ka kërcënuar të lëshojë fuqinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara mbi Korenë e Veriut nëse ai sulmon Amerikën apo aleatët e saj. Muaj më parë, presidenti Trump i tha zotit Tillerson përmes një komenti në Twitter, “të mos humbiste kohën duke u përpjekur për të negociuar me diktatorin e Phenianit”.

65-vjeçari Tillerson citohet ta ketë quajtur presidentin Trump “njeri të trashë" pas një takimi në Pentagon.

Ai nuk e mohoi nënvlerësimin për intelektin e udhëheqësit të Shteteve të Bashkuara, duke shmangur pyetjet dhe duke thënë se ajo ishte pjesë e lojërave politike të Uashingtonit. "Nuk do të merrem me vogëlsira," tha zoti Tillerson.

Pompeo, një ish-ligjvënës 53 vjeçar nga shteti i Kansasit, me sa duket ka fituar simpatinë e presidentit Trump, ndërsa e informon personalisht përditë zotin Trump për çështje të zbulimit, në vend që t’ja delegojë atë përgjegjësi një ndihmësi të personelit.

Senatori Cotton është një ligjvënës i vendosur konservator, i cili shpesh ka shprehur mbështetje për politikat e zotit Trump. Ai ka sinjalizuar se do të pranojë vendin e punës si drejtor i CIA-s, nëse presidenti Trump ia ofron atë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG