Lidhje

Moti i keq, situatë emergjente në Shqipëri


Në Shqipëri që prej ditës së djeshme vazhdon një situatë e rënduar e motit, për shkak të rreshjeve të dendura që kanë përfshirë thuajse të gjithë vendin. Dje pasdite një elektricist i operatorit të sistemit të shpërndarjes Osshe ka humbur jetën në Fier, ndërsa po përpiqej të rregullonte një difekt. Tre të tjerë kanë mbetur të lënduar në Shkodër. Situata më problematike gjatë natës ka qenë në autostradën që lidh kryeqytetin me Durrësin. Njësi të shumta jo vetëm të emergjencave civile por dhe të policisë dhe ushtrisë u angazhuan për t’u ardhur në ndihmë dhjetra qytetarëve të bllokuar. Afro 250 persona u evakuuan. Disa dhjetra të tjera u shpëtuan në Valias dhe Kamëz.

Për shkak të rreshjeve të dendura gjatë natës disa fluturime nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” u anulluan, ndërsa gjatë ditës së sotme gjendja duket e normalizuar. Probleme ka patur dhe në disa nga portet e vendit.

Rreshjet sipas parashikimeve pritet të vijojnë me intensitet të lartë dhe gjatë ditës së sotme. “Këto reshje mund të sjellin përmbytje në lumenjtë e mëdhenj, përveç vërshimeve të lumenjve të vegjël dhe përmbytjeve urbane në varësi të gjendjes së kanalizimeve në disa nga qytetet (Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër). Qarqet më të rrezikuara janë Fieri dhe Vlora. Ka mundësi për përmbytje në basenin e lumit Vjosa. Gjithashtu edhe basenet Seman dhe Shkumbin mund të kenë përmbytje përgjatë fundit të ditës së sotme”, thuhet në një njoftim të Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore. Ndërkaq si pasojë e prurjeve të shumta të lumit, është shembur Ura e Drosë e cila lidh Fush-Krujën me Milotin.Situatë e vështirë edhe në Gjirokastër. Në të gjithë vendin ka një numër të madh banesash të përmbytura si dhe biznese.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se janë aktivizuar planet e emergjencës dhe spitalet e shërbimi i Urgjencës Kombëtare janë vënë në gjendje gadishmërie.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG