Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson u takua sot me homologun e tij rus në Vienë ku dy kryediplomatët ndodheshin për të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE. Para takimit, zoti Tillerson tha se sanksionet ndaj Moskës, do të mbeten në fuqi deri kur Rusia të tërhiqet nga Ukraina.
Kryediplomati amerikan foli përballë homologut të tij rus, Sergei Lavrov, duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranojnë kurrë pushtimin dhe përpjekjen e Rusisë për aneksimin e Krimesë.
“Sanksionet e lidhura me veprimet në Krime do të mbeten në fuqi deri kur Rusia t’i rikthejë kontrollin e plotë të gadishullit Ukrainës. Në Ukrainën lindore, ne u bashkohemi partnerëve tanë evropianë në mbajtjen në fuqi të sanksioneve deri kur Rusia t’i tërheqë forcat nga rajoni i Donbasit dhe të zbatojë angazhimet e marrëveshjes së Minskut”, tha ai.
Zoti Tillerson tha se çështja e Ukrainës është pengesa kryesore për marrëdhënie më të mira mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Në konferencë, ministri i jashtëm rus, Lavrov tha se Moska e mbështet marrëveshjen e ndërmjetësuar nga OSBE-ja dhe punën e misionit të posaçëm të monitorimit në Donbas.
“Të dyja funksionet e OSBE-së duhet të kenë si synim dialogun e drejtpërdrejtë mes Kievit, Donjeckit dhe Luhanskit, siç parashikohet në paketën e klauzolave të Minskut, që është e vetmja alternativë”.
Diplomatët kishin shpresuar që takimet në kuadrin e konferencës së OKB-së, do të shënonin përparim drejt kushteve për një forcë paqeruajtëse të OKB-së për Ukrainën. Por palët kryesore, siç u pa edhe nga komentet e zotit Tillerson dhe zotit Lavrov mbeten ende larg në qëndrimet e tyre.
Facebook Forum