Lidhje

SHBA, demokratët fitojnë garën në Alabama


Në SHBA, demokratët ngushtuan diferencën në përbërjen e Senatit, me fitoren e arritur mbrëmë në zgjedhjet speciale të Alabamës. Kandidati i tyre, Doug Jones, mundi me rezultat të ngushtë rivalin e fortë republikan Roy Moore, i cili ishte përfolur për sjellje të pahijshme me vajza adoleshente dekada më parë.

Kjo është fitorja e parë e një demokrati në një çerek shekulli në Alabama, një shtet tradicionalisht mjaft konservator. Ajo shënon një goditje ndaj presidentit Donald Trump, i cili mbështeti hapur kandidatin republikan, megjithë akuzat ndaj zotit Moore. Rezultati i garës shënon gjithashtu një plagë të re për Partinë Republikane tashmë të përçarë.

Republikani Moore nuk u tregua i gatshëm për ta pranuar rezultatin. Fushata e tij tha se meqenëse rezultati ishte mjaft i ngushtë, me 0,5 për qind diferencë, ose rreth 21 mijë vota, ata do të veprojnë sipas rregullave dhe do të kërkojnë rinumërimin e votave. Por sekretari i shtetit i Alabamës i tha rrjetit CNN se nuk ka gjasa që rezultati të përmbyset edhe nëse do të ketë rinumërim.

Presidenti Trump bëri një koment në Twitter, duke uruar fituesin demokrat Doug Jones. “Republikanët, - shkruante Presidenti Trump, - do të kenë një rast tjetër për ta marrë këtë vend të Senatit brenda një periudhe të shkurtër kohe.”

Fitorja e zotit Jones, ish prokuror i njohur për ndjekjen penale të dy anëtarëve të Ku-Klux-Klanit, përgjegjës për shpërthimet në kishat e Birmingamit në 1963, e ngushton epërsinë e republikanëve në Senat në 51 vende kundrejt 49.

Zoti Jones mbajti një fjalim të shkurtër përpara mbështesëve në Alabama. “Ne, - tha ai, - treguam jo vetëm në shtetin e Alabamës, por edhe në të gjithë vendin rrugën sesi mund të qëndrojmë të bashkuar”.

Kjo fitore vë në rrezik propozimet republikane për taksat, buxhetin dhe kujdesin shëndetësor si dhe injekton energji të re në përpjekjet e Partisë Demokrate për të rifituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2018.

Megjithatë, shumë republikanë në Uashington e shikojnë humbjen e kandidatit të tyre Moore si ndoshta një rezultat lehtësues për partinë në nivel kombëtar megjithë goditjen afatshkurtër. Sepse qëndrimet e shprehura nga kandidati Moore, një konservator i krishterë, kishin larguar mjaft votues nga radhët e grave, pakicave racore, homoseksualëve dhe muslimanëve, pa folur për faktin që ai ishte mjaft i përfolur për sjellje të pahijshme me vajza adoleshente, njëra prej tyre 14 vjeç, kur ai ishte në të 30-at.

Një numër republikanësh nuk pranuan ta mbështetnin atë, duke përfshirë edhe senatorin e vjetër të Alabamës, Richard Shelby. Por ditët e fundit, Presidenti Trump vendosi të verë në dispozicion të fushatës së zotit Moore emrin e tij dhe burimet e Partisë Republikane.

Nëse zoti Moore dë të kishte fituar, Partia Republikane do të ishte rënduar nga prania në radhët e saj të një kolegu të përfshirë në skandal, ndërkohë që republikanët janë në vështirësi për shkak të popullaritetit historikisht të ulët të zotit Trump.

Udhëheqësit republikanë të Senatit kishin deklaruar se zoti Moore do të përballej me një hetim të menjëhershëm për çështje etike dhe fitorja e demokratit Jones i çliroi nga kjo barrë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG