Lidhje

BE zgjat sanksionet ndaj Rusisë


EU sanctions Russia

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po zgjasin sanksionet e ashpra ekonomike kundër Rusisë lidhur me rolin e këtij vendi në konfliktin në Ukrainën lindore. Vendimi, i njoftuar të enjten në samitin e Bashkimit Evropian, do të zgjasë sanksionet aktuale kundër Moskës deri në korrik të vitit 2018.

Vendimi për të zgjatur sanksione erdhi pasi presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel informuan udhëheqësit e tjerë të Bashkimit Evropian mbi gjendjen e marrëveshjes së Minskut.

Kancelarja Merkel u tha gazetarëve pas takimit se udhëheqësit e vendeve të BE-së, nuk kishin pasur një "diskutim të thellë" mbi sanksionet.

"Nuk ka përparim të mjaftueshëm për t'i dhënë fund sanksioneve, ka patur mbështetje të përgjithshme për të bërë diçka për ta shtyrë përpara procesin e Minskut", tha ajo.

Marrëveshja e Minskut për paqen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe e mbështetur nga Moska dhe Kievi, u arrit në fund të vitit 2014 dhe pastaj u ripërpunua në fillim të vitit 2015, por ajo është shkelur pothuajse çdo ditë.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk e trajtoi çështjen e sanksioneve gjatë konferencës së tij të fundit për shtypin këtë viti, por ai tha se forcat separatiste pro-ruse janë të gatshme të përballojnë sfidën nëse nacionalistët ukrainas ndërmarrin ndonjë fushatë në Ukrainën lindore.

"Nuk ka ushtri ruse në territorin e Donbasit, por atje kanë qenë të pranishme disa formacione specifike ushtarake, të cilat ishin të pavarura dhe të gatshme për t’iu kundërvënë operacioneve të mëdha ushtarake kundër Donbasit. Konsiderojmë se kjo korrespondon me interesat e njerëzve që jetojnë në këtë territor, sepse nëse ata e humbasin këtë alternativë, vrasjet masive që përmendët, madje edhe më të mëdha se në Srebrenicë, do të bëheshin nga të ashtuquajturat batalione nacionaliste”.

Presidentit rus Putin gjithashtu tha se qeveria pro-perëndimore në Kiev po pengon zbatimin e Marrëveshjes së Minskut, që synonte gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin mbi Ukrainën lindore dhe ka bllokuar përpjekjet për të ndërmjetësuar një shkëmbim të të burgosurve.

Lufta në Ukrainën Lindore mes forcave qeveritare dhe rebelëve të mbështetur nga Moska ka shkaktuar vdekjen e mbi 10,000 njerëzve dhe ende vazhdon në mënyrë sporadike, pavarësisht disa marrëveshjeve të armëpushimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG