Lidhje

Pakistani proteston ndaj komenteve të Presidentit Trump në Twitter


Pakistani thirri ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Islamabad për të protestuar ndaj komenteve të Presidentit Donald Trump në Twitter, në të cilat ai akuzon Pakistanin për strehimin e terroristëve që luftojnë kundër forcave amerikane në Afganistanin fqinj.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Islamabad tha se ambasadori David Hale u thirr në ministrinë e jashtme të hënën mbrëma për të diskutuar komentet në Twitter të Presidentit Trump me rastin e Vitit të Ri.

Në postimet e tij të para të vitit 2018, Presidenti shprehej me zemërim se Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë "marrëzisht" Pakistanit mbi 33 miliardë dollarë ndihmë gjatë 15 viteve të fundit dhe si shkëmbim nuk kanë marrë "asgjë, përveç gënjeshtrave dhe mashtrimit, duke i konsideruar udhëheqësit e vendit tonë si budallenj".

"Ata u japin strehë terroristëve të cilët ne i kemi luftuar në Afganistan, me shumë pak ndihmë nga të tjerët. Mjaft më!" e përfundonte Presidenti Trump komentin e tij në Twitter.

Uashingtoni ka akuzuar Pakistanin, veçanërisht institucionet e tij të sigurisë, për mos marrje të masave ose për ofrimin e ndihmës fshehurazi për talebanët afganë dhe rrjetin terrorist Hakani për të kryer sulme në rajonin kufitar kundër forcave afgane dhe forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Islamabadi i mohon akuzat për strehim të kryengritësve afganë, duke u ankuar nga ana tjetër se militantët po e përdorin vendin fqinj për të planifikuar sulme terroriste kundër Pakistanit.

Duke iu përgjigjur Presidentit Trump përmes një postimi në Twitter, ministri i jashtëm pakistanez Khawaja Asif tha të hënën se vendi i tij "do t’i tregojë botës të vërtetën ... dallimin mes fakteve dhe trillimeve".

Rafiq Dossani, analist i Korporatës Rand, i tha Zërit të Amerikës se ministri i jashtëm Asif dëshiron që bota ta dijë se Pakistani "është në vijën e parë të betejës kundër terrorizmit dhe ka paguar një çmim të lartë për problemet që janë krijuar shumë kohë më parë pa dëshirën e tij", duke iu referuar pushtimit të Afganistanit në vitin 1979 nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Zoti Dossani tha se pakistanezët "ndjehen të pakënaqur" se ajo që kanë humbur "është shumë më tepër se çdo vend tjetër", ndërsa dështimet përmenden më shumë sesa sakrificat e tyre.

Komiteti i Sigurisë Kombëtare të Pakistanit, i përbërë nga udhëheqja e lartë civile dhe ushtarake e vendit, do të mbajë një takim urgjent për të diskutuar situatën pas komenteve të Presidentit Trump.

Presidenti Trump e shpalli politikën e tij të re ndaj Azisë Jugore në gusht të vitit të kaluar, duke fajësuar Pakistanin se u ofron "strehë të sigurta" për terroristët.

Administrata e Presidentit Trump njoftoi gjithashtu në atë kohë se po pezullonte 255 milionë dollarë ndihmë ushtarake deri sa Pakistani të ndërmerrte veprime kundër ekstremistëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG