Lidhje

Shtyhet afati i programit DACA


Shtetet e Bashkuara thanë të shtunën se kanë rifilluar pranimin e kërkesave për rinovimin e lejeve të qëndrimit në kuadrin e programit DACA, i cili mbron nga dëbimi qindra mijëra imigrantë që kanë hyrë në vend ilegalisht kur ishin fëmijë.

Njoftimi i zyrës për Shërbimet e Imigracionit vjen pasi një gjykatës federal bllokoi përkohësisht javën e kaluar vendimin e Presidentit Donald Trump për t'i dhënë fund programit më vonë këtë vit. "Deri në një njoftim tjetër ... politika e DACA-s do të zbatohet sipas kushteve të vendosura përpara se ajo të shfuqizohej më 5 shtator 2017," tha agjencia në një deklaratë në faqen e saj të internetit.

Në deklaratë thuhet se njerëzit të cilët më parë kishin përfituar sipas programit DACA mund të kërkonin rinovimin e lejes, por se agjencia nuk pranon kërkesa nga individë të cilët nuk kanë përfituar më parë sipas programit.

Një shtyrje e afatit të programit DACA u jep prokurorëve mundësinë për të zbatuar ligjet e imigracionit.

Në muajin shtator, Presidenti Trump vendosi t’i japë fund këtij programi dhe i dha Kongresit afat deri më 5 mars për të gjetur një zgjidhje ligjore.

Programi DACA u krijua nga ish-presidenti Barak Obama për të mbrojtur rreth 800,000 imigrantë nga deportimi të cilët u sollën në SHBA si fëmijë dhe janë pa dokumenta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG