Lidhje

Përzgjidhen me short anëtarët e KLP-ës e KLGJ-ës


Në Shqipëri nënkomisioni Ad hoc përzgjodhi sot në mbrëmje, pas një seance të gjatë, anëtarët për 5 vende në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Përzgjedhja e tyre u bë me short, pasi asnjë prej 32 kandidaturave nuk mori pëlqimin e të paktën katër nga 5 anëtarët e nënkomisionit, siç përcakton ligji. Të pesë vendet në secilin prej dy këshillave, plotësohen me 2 anëtarë nga radhët e pedagogëve të fakulteteve të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës, një nga shoqëria civile dhe dy të tjerë nga radhët e avokatëve.

Mbledhja e sotme u karakterizua nga debate të shumta. Përfaqësuesit e opozitës e konsideruan shkelje faktin që Sekretari i Përgjthshëm i parlamentit ka përmbysur renditjen e bërë nga ana e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, i përbërë nga ekspertë të huaj, për kandidatët e propozuar nga shoqëria civile, Sipas ligjit në fakt, për rastet e emërimeve të para në këto dy institucione, “Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, në listat e kandidatëve që i përcjell komisionit të përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend, reflekton vlerësimin e përcjellë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimi”.

Deputetët e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Nasip Naço nënvizuan se në shumë raste kandidatët që janë përfshirë në lista nuk plotësojnë të gjitha kriteret e përcaktuara me ligj, apo nuk kanë marrë vlerësimin e duhur nga ONM-ja, e për pasojë nuk duhet të ishin përfshirë në listë dhe se në raste të tjera nuk plotësohej numri i nevojshëm i kandidatëve në garë”.

Përfaqësuesit socialistë ofruan nga ana e tyre një variant të kundërt. Edhe gjatë votimit, përfaqësuesit socialist, vetëm në ndonjë rast të izoluar dhanë të tre votat e tyre në mbështetje të një kandidati, ndërkohë që dy përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë në procesin e votimit emër për emër. Qëndrimi i deputetëve të shumicës, bëri të qartë që në fillim se vendimi i tyre ishte që përzgjedhja të realizohej përmes shortit, një përpjekje për t’u mbrojtur, në mungesë të një konsensusi nga opozita, nga akuzat për përzgjedhje të njëanshme.

Në fakt pas përfundimit të shortit, kryetari socialist i nënkomisionit, Ulsi Manja, foli për “një proces tërësisht transparent të përzgjedhjes së anëtarëve”. Por sipas deputetit demokrat Bylykbashi “shorti nuk është garancia për cilësi më të lartë e për rrjedhojë kjo që përmbylli ky proces sot, na çon në dy trupat më të larta të sistemit, ata që nuk janë përzgjedhja më e mirë mbi aftësitë më të arta profesionale. Sigurisht që janë profesionstë në fusha të caktuara, por mospërputhja e tyre me ligjin është çertifikuar nga ONM-ja”. Sipas tij, të përzgjedhurit përfaqësojnë në mënyrë të qartë shumicën në pushtet. “Jo se e bëri shorti por se e bënë parafiltrat antikushtetues, shkelja e rregullit nga Sekretari I Përgjithshëm, dhe vërbëria e hekurt e shumicës për të prodhuar këtë listë”, theksoi zoti Bylykbashi.

Po të shohësh emrat e dalë fitues nga shorti, vetëm për dy prej tyre opozita nuk pati vërejtje. Një pjesë tjetër sipas saj ishin në shkleje të ligjit pasi nuk plotësonin kriteret, si mosshlyerja e detyrimeve tatimore, e përcaktuar si një kusht. Për të paktën tre nga kandidatët e tjerë fituesë ONM është shprehur se kanë arritje mesatare profesionale. Dhe sipas opozitës “ky kriter kushtetues kërkon që arritjet profesionale të jenë në nivelin më të lartë, dhe jo në nivelin mesatar”. Ndërsa anëtari nga shoqëria civile për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ishte skualifikuar nga ONM-ja por ishte rifutur në listë nga Sekretari i Përgjithshëm i Parlamentit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG