Lidhje

Sekretari Mattis dhe bisedimet mes dy Koreve


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis vlerësoi të premten bisedimet mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, por tha se ato nuk i trajtojnë çështjet kryesore të mosmarrëveshjeve mbi programet raketore dhe bërthamore të Phenianit.

Një front i bashkuar kundër Koresë së Veriut, ndërkohë që shefat e mbrojtjes të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuar u takuan në Shtabin e Komandës së Paqësorit.

"Ushtritë tona të kombinuara qëndrojnë krah për krah njëra-tjetrës, të gatshëm për t’u mbrojtur nga çdo sulm kundër Republikës së Koresë ose Shteteve të Bashkuara".

Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis përsëriti se mbrojtja përfshin edhe opsionet ushtarake.

"Përgjigjja jonë ndaj këtij kërcënimi vazhdon të jetë diplomacia, e mbështetur nga opsionet ushtarake për t’u siguruar që diplomatët tanë kuptohen se flasin nga një pozitë e forcës".

Bisedimet vijnë në një kohë kur Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut janë të angazhuara në bisedime rreth Lojrave Olimpike Dimërore të muajit të ardhshëm në Korenë e Jugut.

Koreja e Veriut ka rënë dakord të dërgojë një delegacion në Lojërat Olimpike dimërore në Korenë e Jugut.

Sekretari Mattis vlerësoi bisedimet, por u tregua i rezervuar rreth rezultatit të tyre.

"Bisedimet mbi Lojrat Olimpike nuk trajtojnë problemet e përgjithshme", tha ai.

Ministri i mbrojtjes i Koresë së Jugut theksoi se vendi i tij po përpiqet të tërheqë Korenë e Veriut në një dialog me Shtetet e Bashkuara.

Koreja e Veriut në shtator kreu provën e gjashtë dhe më të madhe bërthamore. Edhe programi i saj i raketave balistike po përparon.

Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut këtë javë tha se opsionet ushtarake janë të papranueshme dhe se situata duhet të zgjidhet përmes diplomacisë.

"Problem është një shpërthim i pakujdësshëm ose i rastësishëm i luftës në një kohë kur kemi një situatë shumë të tensionuar, çdo gjë mund të ndodhë. Dhe njerëzit do t'ia atribuojnë motivet më të këqija të mundshme palës tjetër pas një incidenti. Mendoj se ka ende hapësirë për diplomaci", thotë John Merrill nga Instituti SHBA-Korea.

Sekretari Mattis u pyet gjatë udhëtimit nëse ai mendon se kërcënimi për një sulm nga Shtetet e Bashkuara do të bindë përfundimisht udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un që të tërhiqet.

Ai tha se ka "pritshmëri modeste" ndaj aftësisë së tij për të parashikuar sjelljet e udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG