Lidhje

Italiani që qëlloi mbi imigrantët, kishte motive racore


Një politikan italian i ekstremit të djathtë nuk tregoi asnjë pendim të dielën për sulmin e kryer një ditë më parë ku plagosi gjashtë persona me prejardhje afrikane në qytetin italian të Maçeratës.

28 vjeçari Luca Traini është burgosur për akuza të shumëfishta për tentativë vrasje me motive “urrejtje racore”, pas plagosjes së gjashtë personave me prejardhje nën-Sahariane.

Sipas dëshmitarëve okularë, pas një sulmi që zgjati dy orë të shtunën, Traini me qetësi bëri simbolin fashist dhe iu dorëzua policisë.

“Ai ishte i qartë, i vendosur dhe i vetëdijshëm për atë që kishte bërë”, tha komandanti i karabinerisë Michele Roberti për Sky TG24 të dielën.

Policia tha se sulmi mund të jetë kryer në hakmarrje për vrasjen brutale në janar të një vajze 18 vjeçare italiane. I dyshuari për vrasjen e saj, një emigrant nigerian 29 vjeçar, u arrestua javën e kaluar.

Duke folur për gazetarët në Macerata, ministri i Brendshëm italian tha se i armatosuri ishte motivuar “nga urrejtja racore”.

“Është e qartë se sulmuesi ka tendenca të ekstremit të djathtë, fashiste dhe naziste, që shfaqen jo vetëm në sjelljen e tij, por edhe në historinë e formimit të tij”.

I dyshuari, i identifikuar nga autoritetet si Luca Traini, një 28 vjeçar italian pa histori kriminale, kishte një flamur italian të lidhur në qafë kur u arrestua disa orë më vonë në Macerata.

Autoritetet thanë se gjashtë të plagosurit – pesë burra dhe një grua – mesa dukej ishin viktima të rastësishëm në pjesë të ndryshme të qytetit me 43 mijë banorë, në rajonin qendror Marche të Italisë.

Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, miq të Trainit thanë se ai kishte qenë i angazhuar me partitë ekstremiste italiane si ato neofashiste Forza Nuova dhe CasaPound.

Traini kishte kandiduar për post në bashkinë e qytetit, si kandidat i partisë Lega Nord në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar në Corridonia, konfirmoi partia, por kandidati i saj për kryetar komune humbi zgjedhjet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG