Lidhje

Demokratët e konsiderojnë të gabuar raportin Nunes


Një raport i debatueshëm që pretendon se hetuesit e FBI-së kanë abuzuar me detyrën gjatë hetimit të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016-të, konsiderohet nga demokratët si “jashtëzakonisht i gabuar”. Kreu i demokratëve në Komisionin për Gjyqësorin në Dhomën e Përfaqësuesve ka shpërndarë për kolegët e tij një kundërpërgjigje prej gjashtë faqesh, ku raporti Nunes përshkruhet si “qëllimisht çorientues dhe thellësisht i gabuar në interpretimin e ligjeve”. Reagimi i demokratëve erdhi pasi Presidenti Trump deklaroi se ndjehej “plotësisht i shpaguar” pas publikimit të raportit të klasifikuar.

Raporti i botuar nga Komisioni për Zbulimin i Dhomës së Përfaqësuesve është “një turp”. Kështu shprehet në përgjigje të raportit kreu i demokratëve në Komisionin për Gjyqësorin të Dhomës së Përfaqësuesve, Ligjvënësi Jerrold Nadler, i cili ka hartuar një dokument prej gjashtë faqesh. Sipas demokratëve, i ashtuquajturi raporti Nunes, i hartuar nga kreu i Komisionit të Zbulimit, ligjvënësi republikan Devin Nunes, është “qëllimisht çorientues dhe thellësisht i gabuar”. Ligjvënësi Nadler mendon se “ligjvënësve republikanë duhet t’u vijë turp”.

Presidenti Donald Trump, i cili po e kalon fundjavën në kompleksin e tij të golfit në Florida, shkruajti dje në Twitter se “ai ndjehet plotësisht i shpaguar”, pas botimit të raportit Nunes dhe se megjithatë në SHBA vazhdon pa fund gjuetia e shtrigave.

Raporti sekret, i cili u çklasifikua dhe u bë publik të premten, pretendon se FBI-ja ka abuzuar me autoritetin e saj duke përgjuar të paktën një prej bashkëpunëtorëve të fushatës elektorale Trump. Raporti Nunes thotë se FBI-ja e mbështeti veprimtarinë e saj në një dosje informacioni të krijuar nga Christopher Steele, një ish-agjent britanik dhe ekspert për çështjet e Rusisë, i kontraktuar nga fushata e rivales Hillary Clinton, nëpërmjet një firme ligjore dhe një kompanie tjetër studimore.

Publikimi i raportit Nunes ka intensifikuar betejën politike mes Presidentit dhe aleatëve të tij republikanë nga njëra anë, si dhe demokratëve dhe zyrtarëve të lartë të FBI-së në anën tjetër.

Ligjvënësi demokrat Nadler u shpreh se raporti i republikanëve nuk provoi se puna e FBI-së është mbështetur vetëm tek dosja e ish-agjentit britanik Steele dhe se “nuk ofron asnjë grimcë prove se vetë dosja Steele është e gënjeshtërt apo e pasaktë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG