Lidhje

Lufta kundër trafikut të drogës, Tillerson turne në 5 vende të Amerikës Latine


Shtetet e Bashkuara po sigurojnë mbështetjen e vendeve të Amerikës Latine për të forcuar më tej luftën kundër një problemi të madh për rajonin, trafikun e drogës. Gjatë vizitës në Kolumbi Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha se megjithë përparimin e shënuar në drejtim të luftës kundër kultivimit të kokainës, rezultatet janë më të rëndësishme se gjithçka tjetër. Zoti Tillerson tha se SHBA mbeten të angazhuara të punojnë me Kolumbinë, për të shkatërruar organizatat kriminale ndërkombëtare.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha se ndihej i inkurajuar nga përparimi i Kolumbisë në pakësimin e mbjelljes së bimës nga prodhohet kokaina.

"Do të vazhdojmë të punojmë me Kolumbinë për të mbështetur këto përpjekje, në ato fusha ku mund të ndihmojmë. Kjo është një sfidë e përbashkët për të dy vendet tona, të punojmë së bashku për të shkatërruar organizatat kriminale ndërkombëtare, që krijojnë rrjete rrënuese për qytetarët në Kolumbi sikurse edhe për popullin amerikan".

Komentet e zotit Tillerson vijnë disa ditë pasi Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi ta kufizojë ndihmën amerikane për zona që i cilësoi si pika të nxehta të drogave të paligjshme.

Kolumbia merr fonde të mëdha nga Shtetet e Bashkuara falë të ashtuquajturit “Plani Kolumbia”, siç quhet ndihma e huaj e SHBA-së, një nismë ushtarake dhe diplomatike që synon të luftojë kartelet kolumbiane të drogës dhe grupet kryengritëse të krahut të majtë.

"Rritja e shpejtë e kultivimit të kakaos në shumë aspekte, ishte një pasojë e paplanifikuar e paqes që u negociua me FARC-un" tha zoti Tillerson, duke iu referuar grupit më të madh rebel të vendit, Forcave Revolucionare të Armatosura të Kolumbisë.

Një marrëveshje paqeje e nënshkruar nga qeveria kolumbiane dhe rebelët e majtë të FARC-ut në vitin 2016 për t'i dhënë fund dekadave të tëra lufte, i bindi guerrilasit të ndalin biznesin e bimëve narkotike dhe të ndihmojnë fermerët të kalojnë tek kultivimi i bimëve të ligjshme. Por përfitimet në para falë marrëveshjes së paqes u siguruan fermerëve gjithashtu stimujt për të mbushur tokën e tyre me sasi të mëdha bimësh të paligjshme.

Pas Kolumbisë zoti Tillerson shkon në Kingston të Xhamajkës, ndalesa e fundit e tij pjesë e një turneu në pesë vende të Amerikës Latine.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG