Lidhje

Shtëpia e Bardhë përballë pyetjeve pas largimit të ndihmësit që akuzohet për dhunë në familje


Shtëpia e Bardhë po përballet me pyetjet se përse punësoi një ndihmës të rëndësishëm të Presidentin Donald Trump, i cili nuk arriti të marrë një leje zyrtare të përhershme për të patur qasje tek informacionet e klasifikuara, pasi dy ish-gra të tij u patën thënë hetuesve se ai kishte abuzuar emocionalisht dhe fizikisht me to.

Këshilltari Rob Porter dha dorëheqjen të mërkurën pas publikimit të një fotoje të gruas së tij të parë Colbie Holderness, me një sy të nxirë. Ajo pretendon se ishte pasojë e një goditjeje që kishte marrë nga Porter në 2005 ndërsa ndodheshin për pushime në Firence të Italisë.

Zoti Porter, një avokat i arsimuar në Harvard, shërbente si sekretar i stafit në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Trump. Ai ishte ndihmësi kryesor i shefit të kabinetit John Kelly të cilin e ndihmonte në përcaktimin e propozimeve për politika që i dorëzoheshin zotit Trump për shqyrtim.

Fotot dhe pamjet filmike tregojnë shpesh zotin Porter që i dorëzon dokumente zotit Trump për nënshkrim. Ai gjithashtu ka ndihmuar në hartimin e draftit për fjalimin vjetor të presidentit për gjendjen e vendit.

Sipas CNN, zoti Kelly ishte për muaj të tërë në dijeni të pretendimeve për abuzime të ngritura ndaj Rob Porterit nga Colbie Holderness si dhe gruaja e tij e dytë Jennie Willoughby. Në vitin 2010 kjo e fundit kishte marrë dhe një urdhër mbrojtje në rast rreziku nga zoti Porter. Dy gratë kishin dhënë detaje mbi martesat e tyre problematike me zotin Porter ndërsa hetuesit e FBI-së kishin kryer një kontroll rutinë rreth të shkuarës së tij. Por ai mori vetëm një leje të përkohshme zyrtare për të patur qasje tek informacionet e klasifikuara në Shtëpinë e Bardhë.

Pasi Daily Mail, një tabloid britanik, publikoi i pari këtë javë akuzat për abuzime nga ish bashkëshortet e tij dhe marrëdhënien aktuale të zotit Porter me drejtoren e komunikimit të Shtëpisë së Bardhë Hope Hicks, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders dhe John Kelly i dolën atij në mbrotje.

John Kelly lëshoi një deklaratë ku e cilësonte Porterin "një njeri të respektuar dhe me integritet. Nuk arrij t’i them të gjitha fjalët e mira për të, ai është një mik dhe një profesionist i besueshëm. Jam krenar që shërbej krah tij.

Por pas publikimit të fotografisë së zonjës Holderness me një sy të nxirë, zoti Kelly pranoi dorëheqjen e zotit Porter, edhe pse nuk u caktua një datë për largimin e tij nga Shtëpia e Bardhë.

"U trondita nga akuzat e reja të lëshuara sot kundër Rob Porter" tha Kelly të mërkurën në mbrëmje. "Në shoqërinë tonë nuk ka vend për dhunë në familje. I qëndroj komenteve të mia të mëparshme mbi Rob Porter-it që unë kam njohur kur u bëra shefi i stafit dhe besoj se çdo person gëzon të drejtën të mbrojë reputacionin e tij. E pranova dorëheqjen e tij më herët gjatë ditës së sotme dhe do të siguroj një tranzicion të shpejtë dhe të rregullt", tha ai.

Të mërkurën Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentojë lidhur me dijeni paraprake nga ana e zotit Kelly mbi akuzat ndaj Porterit.

Ndërsa dha dorëheqjen zoti Porter mohoi akuzat për abuzim.

"Këto pretendime fyese janë thjesht të pavërteta," tha zoti Porter në një deklaratë. "Kam marrë fotografitë që iu dhanë medias gati 15 vjet më parë dhe realiteti prapa tyre qëndron shumë larg asaj që thuhet. Kam qenë transparent dhe i sinqertë në lidhje me këto pohime të turpshme, por nuk do të angazhohem më tej publikisht ndaj një fushate të koordinuar për njollosje".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG