Lidhje

Kongresi dhe debati mbi çështjen e imigracionit


Kongresi amerikan ka miratuar buxhetin federal për një periudhë dyvjeçare. Ky ligj që u nënshkrua më pas nga Presidenti Donald Trump, i dha fund një mbylljeje të shkurtër të qeverisë. Megjithatë, çështja e programit DACA, që përfshin rreth 1.8 milion imigrantë që u sollën në Shtetet e Bashkuara nga prindërit e tyre në moshë të mitur, ka mbetur ende e pazgjidhur. Zërit të Amerikës i hedh një vështrim betejës politike që do të mbërthejë Kongresin në javët e ardhshme lidhur me çështjen e imigracionit.

Endrrimtarët që shpresonin se marrëveshja mbi financimin e qeverisë do të zgjidhte pasigurinë që po vazhdon prej muajsh, tani janë të zhgënjyer.

"Ne po u bëjmë thirrje atyre, duke ua kujtuar gjendjen tonë. Qindra njerëz nga grupi ynë po bëjnë këtë sepse ne nuk kemi alternativë tjetër", thotë Berenica Davila, përfituese e programit DACA

Rreth 700 mijë përfitues të programit DACA mund të humbasin statusin e tyre të imigrantit të mbrojtur.

Demokratët u përpoqën, por nuk arritën ta lidhnin marrëveshjen për buxhetin me një zgjidhje për këtë grup imigrantësh. Tani për tani, të dyja palët kanë negociuar një marrëveshje dy vjeçare mbi shpenzimet qeveritare.

"Është një marrëveshje e mirë. Është një sinjal i fortë se ne mund ta tejkalojmë ngërçin që ka përfshirë këtë organ legjislativ dhe të punojmë së bashku për të mirën e vendit", tha senatori Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës demokrate në senat.

Megjithëse demokratët nuk siguruan një zgjidhje për ëndrrimtarët, projektligji hap rrugën për një zgjidhje në të ardhmen.

"Unë jam i bindur se nuk ka asnjë senator që beson se ky është një projekt-ligj i përsosur. Por unë jam gjithashtu i bindur se ky është shansi ynë më i mirë për të filluar rindërtimin e ushtrisë dhe për të bërë përparim në çështjet që prekin drejtpërdrejt popullin amerikan", tha senatori republikan Mitch Mcconnell, udhëheqës i shumicës në senat.

Imigracioni do të jetë çështja e radhës, siç u ka premtuar McConnell demokratëve.

Debati do të përqëndrohet në një plan të propozuar nga Presidenti Trump që përfshin sigurinë e kufirit, një rrugë për ëndërrimtarët që të fitojnë shtetësinë, eliminimin e llotarisë së vizave dhe kufizimin e imigracionit përmes bashkimit familjar.

"Presim që Kongresi të marrë masa për planin e Presidentit mbi reformën e imigracionit", tha Raj Shah, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Por çdo projekt-ligj i miratuar nga Senati do të duhet të fillojë nga e para në Dhomën e Përfaqësuesve, ku udhëheqësja e demokratëve, Nancy Pelosi foli për tetë orë rresht të mërkurën për të shprehur kundërshtimin e saj ndaj mospërfshirjes së një zgjidhjeje për DACA-n.

"Unë e di se ka një angazhim të vërtetë në të dyja partitë politike për të zgjidhur çështjen e DACAs. Unë dua ta theksoj se kam të njëjtin angazhim dhe qëllim për të zgjidhur këtë problem dhe për të hedhur në votim një projektligj për programin DACA dhe reformën e imigracionit. Do të propozojmë një zgjidhje që do ta nënshkruajë presidenti", tha ligjvënësi Paul Ryan, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Megjithatë kjo nuk ishte e mjraftueshme për zonjën Pelosi.

"Ishte një pyetje e thjeshtë për kryetarin. Pse nuk mund të kemi një votim në Dhomën e Përfaqësuesve? Unë mendoj se dëshira për një votim të tillë është rritur", tha ligjvënësja Pelosi, udhëheqëse e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve.

Marrëveshje buxhetore është qetësia para një furtune të re që e pret Kongresin javën e ardhshme për çështjen e imigracionit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG