Lidhje

Negociatat për detin, kërkohet plotfuqishmëria nga Meta


Në Shqipëri, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i është drejtuar me një kërkesë Presidentit Ilir Meta për t’i dhënë plotfuqishmërinë grupit negociator që do të zhvillojë bisedimet me palën greke për arritjen e një marrëveshjeje te re për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve. Autorizimi nga Kreu i shtetit është një detyrim ligjor kur bëhet fjalë për marrëveshje të tilla, dhe mungesa e saj ishte dhe një nga shkaqet që çuan në rrëzimin nga ana e Gjykatës Kushtetutese të marrëveshjes së viti 2009, përveç shkeljeve të tjera që ajo gjeti.

Sipas ministrit Bushati, grupi negociator shqiptar do të përbëhet nga përfaqësuesë të disa institucioneve. Kërkesa e tij vjen pas dy raundesh takimesh në nivel të ministrave të jashtëm, mes dy vendeve, të cilat kishin si qëllim zgjidhjen e një sërë problemeve të mbetura pezull, përfshirë dhe marrëveshjen për kufirin detar. Për një kohë të gjatë pala greke kishte këmbëngulur në rishikimin e dokumentit të vitit 2009, por kjo kërkesë u refuzua nga pala shqiptare. Sipas deklaratave publike të kryeministrit Edi Rama, mes palëve do të ketë një marrëveshje të re.

Disa komente të bëra nga ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, mbi çështjen e detit, kanë shkaktuar polemika në Shqipëri. Por ministri Bushati ka këmbëngulur se vendimi i Gjykatës kushtetuese shqiptare dhe Konventat ndërkombëtare do të përbëjnë bazën e marrëveshjes dhe se me palën greke janë përcaktuar vetëm “vijat e kuqe” apo korniza e parimeve mbi të cilën palët do të ulen të diskutojnë konkretisht në aspektin teknik.

Burime nga zyra e presidentit Meta, shpjeguan se Kreu i Shtetit ka vendosur të konsultohet paraprakisht me parardhësit e tij për këtë çështje. Ai është takuar fillimisht sot me ish presidentin Bujar Nishani, ndërsa nesër e pasnesër pritet të takojë dhe ish presidentët e tjerë, zoti Sali Berisha, zotin Rexhep Mejdani, zotin Alfred Moisu dhe ish kreun e shtetit Bamir Topi.

Shqipëria dhe Greqia kanë kaluar një periudhë të gjatë marrëdhëniesh me shumë ulje ngritje. Asnjëherë më parë, siç ka ndodhur prej më shumë se 5 vitesh, nuk ka patur shkëmbime vizitash në nivel kryeministrash. Dialogu i hapur së fundmi duket se ka sheshuar shumë çështje, përjashtuar atë çame, divergjencat rreth së cilës mbeten ende të thella. Megjithatë, në pranverë, të dy vendet pritet të nënshkruajnë dokumentin e Partneritetit Strategjik, moment i cili parashikohet të shoqërohet me vizitën e kryeministrit grek Aleksis Tsipras në Tiranë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG