Lidhje

Prokuroria e Përgjithshme për rastin e Llallës


Në Shqipëri Prokuroria e Përgjithshme, nuk i dha një përgjigje të prerë kërkesës së Zërit të Amerikës për të mësuar nëse do të ndërmerret apo jo ndonjë veprim ndaj ish Kryeprokurorit Adriatik Llalla, pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për t’i ndaluar atij hyrjen në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në raste të mëdha korrupsioni

“Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë i jep përparësi integritetit moral dhe profesional të zyrtarëve. Populli shqiptar pret dhe meriton që zyrtarët të punojnë me ndershmëri dhe integritet në të mirë të interesit publik”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Përgjithshme ndërsa shton se ky institucion “u jep mbështetjen e plotë të gjithë prokurorve që punojnë me përkushtim, dinjitet dhe integritet” e se “gjithashtu mbështet qëndrimin për ndëshkimin e cilitdo që cënon parimet e shtetit të së drejtës”.

Zoti Llalla në një reagim të premten për gazetën The Wall Street Journal mohoi akuzat për korrupsion duke shtuar se ai kurrë nuk është hetuar nga autoritetet shqiptare. Sipas tij ndalimi i hyrjes në Shtetet e Bashkuara për të dhe familjen e tij është rezultat i përplasjes që ai ka patur me ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu.

Rasti i zotit Llalla është i pari i një zyrtari të lartë shqiptar ndaj të cilit Shtetet e Bashkuara marrin sanksione të tilla. Javën e shkuar ish kryeprokurori u tërhoq nga e drejta për të qenë gjykatës në Apel duke prefruar të mbetet jashtë sistemit të Drejtësisë. Një vendim i cili solli sot dhe ndërprerjen e procesit të rivlerësimit të nisur ndaj tij. Duke komentuar lëvizjen e pak ditëve më parë të zotit Llalla, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu u shpreh se “tërheqja nuk i shfajëson këta ish zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga Vetting-u, duhet të kenë frikë dhe nga hetimet e pashmangshme penale”, theksoi ambasadori Lu.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG