Lidhje

Presidenti Trump viziton viktimat e sulmit me armë në Florida


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe zonja e parë Melania Trump vizituan një spital Florida, ku po trajtohen të plagosurit e sulmit me armë në shkollën e mesme Marjory Stoneman Douglas në Parkland. Më vonë, Presidenti Trump u takua edhe me disa oficerë të forcave të rendit.

Duke ecur përkrah mjekut Igor Nichiporenko në spitalin Broward në Pompano Beach, Presidenti Trump vlerësoi ekipin mjekësor që po trajton viktimat.

"Ata kanë bërë një punë të pabesueshme. Mjekët ishin shumë të mirë, vizituam njerëzit që po shërohen. Vizituam edhe punonjësit e emergjencave, të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe unë dua t’i përgëzoj".

Më vonë, Presidenti Trump vizitoi edhe Zyrën e Sherifit të distriktit Broward, ku u takua me disa oficerë të forcave të rendit.

Presidenti Trump përshëndeti reagimin e shpejtë të policisë dhe ekipeve të emergjencës, të cilët brenda një kohe të shkurtër arritën të transportonin të plagosurit në spital, duke përmendur shembullin një pacienteje në spital me dy plumba në mushkëri.

"Keni bërë një punë të jashtëzakonshme që ne e vlerësojmë shumë. Të gjithë po flasin për punën e mirë që ju keni bërë. Sapo u ktheva nga spitali, ku vizitova një vajzë të re, që ishte qëlluar me katër plumba, dy prej tyre në mushkëri, dhe ajo u dërgua në spital brenda më pak se 21 minutave. Ajo nuk kishte shanse, por angazhimi i ekipeve të emergjencës dhe njerëzit tuaj që arritën shpejt në vendin e ngjarjes, mundësuan dërgimin e saj në spital. Ju dhe mjekët keni bërë një punë të madhe."

Presidenti Trump gjithashtu u takua me oficerin Mike Leonard, i cili e gjeti dhe e arrestoi të dyshuarin e sulmit, Nikolas Cruz.

Melania Trump gjithashtu falenderoi zyrtarët që reaguan me shpejtësi ndaj incidentit me armë.

"Faleminderit të gjithëve për punën që po bëni dhe për shpëtimin e fëmijëve tanë, kjo është më e rëndësishmja. Ata janë e ardhmja jonë dhe ne duhet të kujdesemi për ta, sepse përjetuan momente të vështira dy të ditë më parë. Faleminderit."

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara ka urdhëruar rishikimin e menjëhershëm të mënyrës se si Departamenti i Drejtësisë dhe Byroja Federale e Hetimeve, FBI përgjigjen ndaj paralajmërimeve për vrasësit e mundshëm masivë.

Veprimi pason pranimin të premten nga FBI se ka injoruar një informacion mbi sjelljet dhe veprimeve e personit të armatosur që dyshohet për vrasjen e 17 njerëzve dhe plagosjen e 14 të tjerëve të mërkurën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG